Lajme
Kurti me ministra e deputetë me fushatë të rrezikshme kundër Prokurorisë Speciale, pasi ia zuri hajninë me rezervat shtetërore
Demokracia
18:32 | 24 Gusht 2023

Share:

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin ka nisur një fushatë të paparë e dëgjuar deri më sot kundër organeve të drejtësisë në vend. Të mbështetur edhe nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse e kanë pushtetin absolut në ekzekutivin e vendit, ata masivisht u janë rikthyer ”specialiteteve” të vjetra, fushatave linçuese.

Pas arrestimit të mikut të kryeministrit Albin Kurti, Ridvan Muharremit dhe dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me “avullimin” e një sasie të grurit dhe vajit në kuadër të rezervave shtetërore, por edhe arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, kryeministri Kurti bashkë me ministra e deputetë ka ditë që po zhvillojnë një fushatë të ashpër, duke e sulmuar Prokurorinë, sidomos Prokurorinë Speciale që udhëhiqet nga Blerim Sylaj, i cili ka më shumë se një vit që po pret të dekretohet si Kryeprokuror i Shtetit, por pushteti nuk po e bënë.

Sulmin ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, por edhe mediave, e nisi kryeministri Kurti me një video, shkruan Demokracia.com.

Kurti, përkundër shumë fakteve që e implikojnë ministren e tij Rozeta Hajdari, e mbrojti atë duke thënë se ka besim të plotë në punën e saj.

Teksa foli për furnizimin me rezerva shtetërore, ai theksoi se 97% e tyre është në depo, me përjashtim të 3 përqindëshit të mbetur, që tha se ka mbetur në përgjegjësinë e kompanive kontraktuese për ta siguruar.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, deklaroi kryeministri Kurti.

“97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë. E për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore”, tha tutje ai.

Adresimin e tij, kryeministri Kurti e vazhdoi duke hedhur kunja edhe në drejtim të gjyqtarëve, prokurorëve dhe mediave.

Një video, që duket se është forma e vetme e komunikimit të pushtetarëve me publikun, pasi që nuk po kanë guxim të dalin para gazetarëve, sot e beri edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo është paraqitur sot me një video-mesazh nga Vushtrria, në njërën nga pronat e kësaj ministrie, e cila tha se iu dha një personi fizik në vitin 2020, nga ish-ministri i këtij dikasteri qeveritar.

Sipas Haxhiut, auditori i brendshëm kishte deklaruar se kontrata ishte lidhur në mënyrë të jashtëligjshme, çka edhe i ka shtyrë të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit dhe ish-drejtorit të burgjeve.

Mirëpo, siç thotë Haxhiu, kjo e fundit e ka hudhur këtë kallëzim, duke thënë se nuk ka shkelje penale.

Prokuroria ka thënë se rrënimi i objekteve publike nga persona fizikë nuk është vepër penale, referuar rrënimit të objektit të ish-hotelit Vicianum.

“Siç po e sihni, veprimet tona për ndalje të abuzimeve dhe keqpërdorimeve, tashmë janë objekt hetimi nga Prokuroria, në vend se të ishte e kundërta. Pra, shtrohet pyetja e thjeshtë: Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Pjesë e fushatës linçuese duke u kërkuar llogari për dosjet e paraqitura nga ta, që sipas Qeverisë, Prokuroria Speciale nuk po i merr parasysh, është edhe Ministri i Financave. Hekuran Murati duke e sulmuar Prokurorinë thotë se këtë muaj bëhen dy vite prej se kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

Murati përmes një postimi në Facebook, thotë se kallëzimit penal ia kishte bashkëngjitur edhe raportin e auditimit.

Ministri i Financave thotë se Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal me arsyetimin se me vendimin e Qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit.

“Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër. Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni”, ka shkruar ai.

Prokurorisë së Shtetit i është vërsulur edhe vetë ministrja që iu zhdukën rezervat e shtetit, duke e akuzuar këtë institucion se nuk po merret me rastet që këta vetë i kanë denoncuar.

Edhe ministrja Rozeta Hajdari e ka realizuar një video, ku flet për ish-ministrin Vesel Krasniqi, të cilin e akuzon se ka krijuar monopol në fushën e kontrollit të cilësisë së karburanteve në Kosovë. Hajdari në video thotë se edhe përkundër “argumenteve” të ofruara, Prokuroria e Shtetit s’ka ndërmarrë asgjë.

“Janë bërë më shumë se dy vite prej kur kemi parandaluar një keqpërdorim multimilionësh dhe kemi dorëzuar kallëzimin penal. Ka kaluar po aq kohë dhe askush nuk është thirrur në përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë”, ka shkruar ministrja Hajdari më 21 gusht.

Pas ministres Hajdari, video në profilin e tij në ‘Facebook’ ka publikuar edhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Peci është shfaqur nga fshati Stankaj në Pejë, ku thotë se janë ndërtuar villa në pronën e Institutit Bujqësor. Ai ka akuzuar se edhe përkundër denoncimit, shteti s’ka bërë asgjë.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke i dënuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të Qeverisë së tij kundër prokurorëve, të bëra pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë nën dyshimet për dallavere me rezerva shtetërore. KPK-ja i ka cilësuar këto deklarata si shantazhuese dhe nënçmuese.

Duke mbrojtur ministren Rozeta Hajdari, kryeministri Kurti të premten përfshiu gjykatat, prokurorët dhe mediat si mbështetëse të krimit. Po ashtu, të shtunën ministri Hekuran Murati akuzoi prokurorinë se po bën “spektakle nga asgjëja” dhe se gjoja sistemi i drejtësisë është i kapur.

Në një reagim pasdite, KPK-ja ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, duke thënë se janë bërë mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësimeve “duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast”.

“KPK-ja i bën thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit. KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim, përcjell Demokracia.com.

KPK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Këshilli Prokurorial i ka quajtur këto deklarata si të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili ”nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”.

Në fund, KPK-ja ka thënë se është e përkushtuar të luftojë presionet dhe ka thënë se deklaratat e tilla nuk do ta zbehin punën e prokurorëve.

“KPK-ja potencon se Prokurori i Shtetit, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara”, përfundon reagimi i KPK-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme