Lajme
Kurti humbi betejën me Lajçakun | E pranoi në takim emisarin që po punon kundër Kosovës dhe nuk i kërkoi as ta lë ndërmjetësimin e dialogut
Demokracia
10:11 | 22 Tetor 2023

Share:

“Neve na duhen të dyja edhe ShBA edhe BE, por nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë i njëanshëm, aspak netural e korrekt, që shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur më atë të emisarit Lajçak tani”.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë më 18 shtator 2023, vetëm katër ditë pas dështimit të takimit të Brukselit në të cilën të dyja palët, Kosova dhe Serbia, nuk arritën të dakordoheshin për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksit të Ohrit (18 mars 2023), shkruan Demokracia.com.

Kjo deklaratë do të mbetët vetëm e tillë, një deklaratë për konsum ditor politik dhe për të kënaqur militantët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse ky qëndrim u zhvlerësua të shtunën e 21 tetorit 2023, nga vetë kryeministri Kurti, i cili, një muaj më pas shtrëngoi duart me emisarin evropian, Miroslav Lajçak.

Video:

 

Pamjet nga takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me emisarët Lajçak e Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.

Posted by Qeveria e Republikës së Kosovës on Saturday, October 21, 2023

Kryeministri Kurti ka humbur betejën e tij me të dërguarin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili do të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësuesit në këtë dialog dhe nuk do të zëvendësohet.

Pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku kryeministri Kurti refuzoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksin e saj të Ohrit, ai drejtoi akuza të rënda në adresë të ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, për anshmëri dhe favorizim të Serbisë. Sipas Kurtit, Lajçak “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës”.

Kjo ka mjaftuar që kryeministri Kurti të paraqesë kërkesën publike, të cilën e ka dërguar edhe në Uashington, Bruksel, Paris, Berlin e Romë.

“Së pari, unë të nesërmen, më 15 shtator, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtonit. Nga Parisi dhe Berlini e kanë konfirmuar që i kanë pranuar. Pra, i kam dërguar letër kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe sekretarit Blinken. Këtu kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin, duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike, por duke lejuar që qerrja të vihet para kalit, që Asociacioni njëherë e pastaj shohim. Dhe ky deformim i procesit, i zbatimit, është i shoqëruar edhe me një padrejtësi fundamentale”, njoftonte Kurti më 18 shtator 2023.

“Nuk na duhet një ndërmjetësues si Lajçak” | Kurti kishte kërkuar të largohej nga dialogu edhe krimineli Veljko Odaloviq, por më pas nuk bëri zë…

Kurti i ankohet Uashingtonit, Brukselit, Parisit e Romës se Lajçaku e ka vendosur “qerren para kalit”

Kundër sulmeve të rënda të kryeministrit Kurti kanë dalë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i kanë dhënë mbështetje të plotë ndërmjetësuesit evropian.

Escobar: I alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut, Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se kjo është e papranueshme

Gjuha e ashpër e Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë qeveritarë apo të partisë Vetëvendosje, ka ngjallur edhe reagimin e vetë Lajçakut.

“Kur nuk të pëlqen mesazhi, ti provon të sulmosh dërguesin. Kështu funksionon. Dialogu është këtu që nga 2011. Ka pasë qeveri të ndryshme në Kosovë e Serbi, përfaqësues të ndryshëm nga BE-ja, por dialogu është e vetmja rrugë, sepse fakti është shumë i thjeshtë: s’ka të ardhme europiane pa normalizim”, tha Laçak në forumin 2BS, që ishte mbajtur në Budva më 6 tetor 2023. /Demokracia.com/

Të ngjashme