Lajme
Kurti e fton Vuçiqin në Këshill të Sigurimit ta nënshkruajnë marrëveshjen që zëvendësit e tij deklarojnë se granton Republikë Serbe në Kosovë
Demokracia
10:47 | 09 Shkurt 2024

Share:

Sallën e madhe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dashur ta kthejë në një vend ku ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të nënshkruanin edhe zyrtarisht Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], Aneksin e zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023] dhe Statutin e Zajednicës [Prishtinë, 21 tetor 2023].

“Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet, është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z. Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë. E ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë Kurti në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur nga Serbia për shkak të Rregullores së BQK-së për kufizimin e përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti kërkon të shfrytëzojë një ngjarje ndërkombëtare për të kërkuar edhe nënshkrimin formal të Serbisë në marrëveshjet e arritura gjatë vitit 2023, shkruan Demokracia.com.

Një kërkesë të tillë, Kurti e kishte prezantuar edhe në margjinat e Samitit të Këshillit Evropian ku është takuar me liderët evropianë, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së Josep Borrell.

Ndonëse në Marrëveshjen e Ohrit ekziston dakordimi Kurti – Vuçiq se ato nuk ka nevojë të nënshkruhen, pasi kanë hyrë në fuqi me Deklaratën e BE-së të datës 18 mars 2023, është i çuditshëm insistimi i kryeministrit Kurti për të nënshkruar para botës dokumente që zëvendësit e tij në Kosovë, përfshirë edhe presidenten Osmani, i shohin me rrezik të madh për funksionimin e Republikës së Kosovës.

“ASOCIACIONI I 2023 ËSHTË REPUBLIKË SERBE”

Vetëm tri ditë para kësaj gatishmërie të kryeministrit Kurti për të nënshkruar këto marrëveshje, ku bën pjesë edhe Statuti për themelimin e Zajednicës, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka ngritur alarmin derisa ka bërë dallimin në mes të Zajednicës/Asociacionit të vitit 2013/15 dhe Zajednicës/Asociacionit të vitit 2023 të pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zv/kryeministrja Rexhepi ka thënë se ky draftstatut, “i jep shumë pushtet ekzekutiv Asociacionit dhe mund të vijë deri te krijimi i një shteti të ri brenda shtetit tonë”.

“Drafti i tanishëm u jep atyre shumë të drejta, që pushteti ekzekutiv i Asociacionit, nëse do të themelohej, do të ishte i madh dhe kjo do të dëmtonte shtetin tonë. Nëse do të themelohej një Asociacion i tillë krijohet mundësia që të themelohet një Republikë e dytë serbe ashtu siç është krijuar në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Rexhepi në një intervistë në Uashington për Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.

Lexo më shumë:

“Asociacioni i 2023 është Republikë Serbe” | Si e zbuloi zëvendësja e Kurtit se Zajednica që doli nga dialogu i tij është tjetër nga Asociacioni 2013/15?

ZAJEDNICË ME FUQI EKSKLUZIVE DHE KUNDËRKUSHTETUESE

Në Statutin e Zajednicës, të cilën Kurti shpreh gatishmëri publike për ta nënshkruar ashtu siç është, parashihet të themelohet edhe Komisioni i Arbitrazhit, që nuk ka ekzistuar në marrëveshjen e vitit 2013 e 2015 dhe as nuk është diskutuar asnjëherë, por ai po paraqitet për herë të parë në vitin 2023 si rezultat i dialogut të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Pas themelimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për çdo mosmarrëveshje lidhur me zbatimin ose interpretimin e Statutit që themelon Zajednicën, të dy palët palët (Zajednica dhe Autoritetet Qendrore), do të duhet t’i drejtohen jo institucioneve ekzistuese të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por një institucioni të padëgjuar më parë: Komisionit të Arbitrazhit. / Demokracia.com /

Lexo më shumë:

Arbitrazhi | Kurti shkelë Kushtetutën me draft-statutin e pranuar, i jep fuqi ekskluzive Zajednicës të zgjidh çështje jashtë institucioneve të drejtësisë

Të ngjashme