Lajme
Kur do të marrin detyrën kryetarët e katër komunave veriore?
Demokracia
20:52 | 24 Prill 2023

Share:

Partia e cila vazhdimisht i fiton mbi 90% të votave në komunat e banuara me shumicë serbe, këtë herë nuk ishte pjesë e garës.

Lista Serbe e cila po i vë në pikëpyetje zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore, sipas ministrit të vetëm serb në Qeverinë Kurti, vet si subjekt politik kurrë nuk ka pasur legjitimitet sepse në çdo palë zgjedhje ka operuar me shantazhe, me dhunë në forma të ndryshme, madje edhe fizike.

Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se “në këtë rast ndoshta mund të themi që nuk ka legjitimitet por megjithatë ka legalitet. Me fjalë të shkurta, edhe 5 njerëz nëse dalin në zgjedhje llogaritet 50% të atyre 5-ve, dhe ai i fton zgjedhjet”.

Zgjedhjet me vota mund t’i kenë fituar Vetëvendosje dhe PDK, por të drejtë ankese për parregullsi kanë të gjithë palët, 24 orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Valmir Elezi, Zëdhënës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka cituar se “(PZAP) ky institucion ka tri ditë kohë më së shumti për të vendosur lidhur me ndonjë ankesë eventuale. Po sipas ligjit nëse PZAP hedh poshtë ankesën e paraqitur në këtë institucion pala e pakënaqur mund ta ankimojë vendimin në Gjykatën Supreme, institucion i cili po ashtu ka kohë tri ditë për të shqyrtuar ankesën”.

Deri më tani, publikisht nuk ka pasur asnjë ankesë për parregullsi në këto komuna, për çka në mes-javë mund të certifikohen rezultatet dhe t’i hapet rrugë betimit të kryetarëve në katër komuna.

Përpos legjitimitetit të zgjedhjeve në pikëpyetje është vënë edhe marrja e mandatit nga kryetarët dhe asambletë për shkak se disa nga objektet e komunave në pjesën veriore kontrollohen nga strukturat paralele.

Sadri Rrmoku nga Instituti për Qeverisje Lokale ka theksuar se “Faktikisht ligji në mënyrë decidive nuk e rregullon këtë çështje. Tek çështja e betimit ligji e thotë që kryetari i komunës në fazën prej 30 ditë pas certifikimit duhet të betohet para Kuvendit Komunale që nuk e përcakton se ku ka me u bë betimi. Faktikisht kjo lë shumë pikëpyetje për shkak se cila është nevoja që kryetari i komunës të betohet para asmbistëve, para këshilltarëve komunalë në këtë rast kur të dyja mekanizmat janë të zgjedhura prej qytetarëve. Po me qenë që ligji nuk e përcakton atëherë mundemi me gjetë forma alternative. Megjithatë deri tash nuk po shohim ndonjë indikacion që kjo mund me u pengu ose jo, por në rast se nuk lejohet atëherë në kuadër të ligjit mundemi me gjetë forma për betimin e kryetarëve të rinj të komunave”.

Çështja për të cilin po flet Rrmoku sipas ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk është problemi kryesor, por sfidë mbetet funksionimi dhe zbatimi i vendimeve të komunës në terren.

Sadri Ferati, Ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka theksuar se “Gjithë kjo situatë prap do të jetë një problem i natyrës politke, dhe gjithsesi që palët do të detyrohen të vazhdojnë diskutimet të vazhdojnë dialogun dhe të gjendet një zgjidhje për veriun ku të gjithë qytetarët i pranojnë institucionet pranojnë shërbimet nga institucionet dhe shkohet më tutje”

Në komunat ku është votuar vetëm për kryetar, të njëjtit brenda 30 ditëve duhet të bëjnë betimin. Ndërkaq në komunat ku është votuar edhe për asambletë komunale, fillimisht 15 ditë prej ditës së certifikimit duhet të thirret mbledhja inauguruese, e më pastaj të sigurohet kuorumi për betim të kryetarit.

Të ngjashme