OpEd
Kthimi i Navalnit ka lëkundur pozitën e Putinit
Demokracia
11:15 | 30 Janar 2021
Policia dhe protestuesit në Sheshin Pushim në Moskë, më 23 janar 2021.

Share:

Shqetësim kryesor për Kremlinin janë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator të këtij viti dhe synimi për të ruajtur dy të tretat e ulëseve në parlament. Navalny nuk ka pasur zgjidhje tjetër, përveç se të kthehet në Rusi. Duke u kthyer, ka rrezikuar jetën e tij, por ndoshta ka rrezikuar edhe pushtetin e Putinit.

Këtë javë Rusia është përballur me protestat më të mëdha në vend për gati një dekadë. Rusët që dolën në protesta i ishin përgjigjur thirrjes së Alexei Navalny, lider i opozitës, i cili u kthye në Rusi pasi u trajtua në Gjermani nga helmimi me agjent nervor të nivelit ushtarak.

Protestat shpërthyen në së paku 120 qytete në tërë Federatën Ruse. Navalny u tregoi autoriteteve ruse, popullit rus si dhe tërë botës se kishte pas vetes qytetarë rusë që janë të gatshëm të marshojnë dhe të protestojnë për të e, nëse është nevoja, edhe të arrestohen për të. Kjo padyshim është fitore e tij që – edhe pse nuk është fitore vendimtare – tregon se në Rusi ka zhvillime të reja politike që nuk dihet se si do të përfundojnë.

Protesta me aq militantizëm nuk janë parë në Rusi që një dekadë dhe kjo tregon se konflikti mes opozitës dhe autoriteteve ka hyrë në një fazë të re. Demonstratat në Moskë dhe në Shën Petersburg, dy qytetet më të mëdha dhe kryesore në Rusi, u shoqëruan me protesta deri në rajonet më të largëta të vendit, banorët e të cilave zakonisht nuk përzihen shumë në çështjet e Moskës. Kjo tregon se ka pakënaqësi gjithnjë e më të madhe me drejtimin në të cilin po shkon vendi. Një e dhënë interesante që del nga vëzhgimet dhe anketat në protesta, tregojnë se së paku një e treta e protestuesve kishin dalur në rrugë për herë të parë në jetën e tyre.

Navalny, për dallim nga liderët tjerë opozitarë, nuk mund të akuzohet se është “gjeneral pa ushtri” pasi nxori në rrugë turma të mëdha njerëzish, dhe atë në janarin e acartë, madje edhe në qytetet siberiane ku temperatura nuk ngjitet mbi zero as gjatë ditës. Por, transformimi i këtij momentumi në infrastrukturë politike permanente që është në gjendje të përballet në mënyrë të barabartë me regjimit do të jetë më e vështirë.

Protestat ishin kryesisht paqësore. Aty ku kishte dhunë, kjo ishte e shkaktuar nga autoritetet. Por, në disa video shihen edhe protestuesit duke ua kthyer me dhunë forcave të sigurisë, gjë që nuk ishte parë në protestat e mëparshme.

Për Kremlinin rreziku është që këto zhvillime të marrin drejtimin e njëjtë me ato në Bjellorusi ku protestat po zgjasin me muaj. Në Bjellorusi ka tepër shumë protestues që të mund të arrestohen të gjithë. Në anën tjetër qeveria ende është aq e fortë sa nuk mund të rrëzohet, por themelet e saj tashmë janë lëkundur.

Protestat në Rusi nuk do të shpëtojnë Navalnyn nga burgu. Por, dënimi që do t’i shqiptohet do të merret si sinjal që tregon se si ndihet regjimi. Një dënim më i butë do të sinjalizojë gatishmërinë për kompromis potencial me opozitën. Liderët rusë janë shumë të kujdesshëm që të mos duken të dobët dhe të mos duken sikur protestat i ndikojnë vendimet e tyre, megjithatë kujdesen për opinionin publik dhe nuk do të mund të tregohen aq të ashpër me dënimet.

Shqetësim kryesor për Kremlinin janë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shtator të këtij viti. Synimi i përhershëm i Kremlinit që partia “Rusia e Bashkuar” e Putinit të mbajë dy të tretat e ulëseve duket gjithnjë e më vështirë i realizueshëm nëse vazhdojnë zhvillimet e tashme. Nëse pushteti aktual do të ndërmerrte hapa për të vjedhur edhe më haptas votën, kjo do të degradojë edhe më shumë legjitimitetin e tyre publik.

Kremlini tani është mes “dy zjarreve” të zakonshme për regjimet autoritare – a të rrezikojë të lejojë që të thellohet polarizimi politik duke eskaluar dhunën; apo të lejojë zgjerimin e protestave duke dhënë sinjale se është duke u dobësuar.

Navalny në anën tjetër, nuk ka pasur zgjidhje tjetër, përveç se të kthehet në Rusi, edhe pse besohet se ende e ka jetën në rrezik. Sikur të mos kthehej, do të dukej i dobët dhe do të humbte respektin dhe fuqinë politike. Duke u kthyer, ka rrezikuar jetën e tij, por ndoshta ka rrezikuar edhe pushtetin e Putinit. Loja sapo ka filluar.

Të ngjashme