Intervista
Kryeimami i BIK-ut: Nuk kemi lobuar te deputetët për ta dështuar Kodin e ri Civil
Demokracia
11:54 | 02 Maj 2022

Share:

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës [BIK], Vedat ef. Sahiti, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta rishikojnë Projekt-kodin e ri Civil.

Ai ka thënë se projekt-kodi i ri cenon themelet dhe shenjtërinë e familjes.

Në këtë intevistë për gazetën Nacionale, Sahiti ka treguar se BIK-u e ka kundërshtuar, por nuk ka lobuar te deputetët për ta dështuar këtë projekt-ligj.

Ai ka thënë se BIK-u gjithmonë do të vazhdojë t’i mbrojë vlerat fetare që familjen e konsiderojnë të paprekshme.

Më poshtë keni intervistën të realizuar gjatë muajit të Ramazanit por të publikuar sot, për Bajramin e Fitrit!

I N T E R V I S T A

Z. Sahiti, jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Çfarë aktivitetesh ka ndërmarrë BIK-u për t’u dalë në ndihmë gjatë këtij muaji besimtarëve myslimanë?

Vedat ef. Sahiti: Bashkësia Islame e Kosovës, edhe këtë vit,ka organizuar aksionin humanitar Sofra e Ramazanit, e cila tanimë është tradicionale dhe jemi munduar të jemi sa më pranë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë. Përmes ndihmave të ndryshme , deri tani kemi shpërndarë mbi 20.000 (njëzet mijë) pako me ndihma ushqimore gjithandej vendit tonë, po ashtu edhe në Luginë, Medvegjë, Preshevë, Bujanoc, si dhe në veri të Shqipërisë.

Gjatë këtij muaji kemi ofruar edhe ndihma tjera, qoftë në veshmbathje, në ndërtim të shtëpive, në ndarje të zekatit për familje me gjendje të rëndë sociale, etj. Mjafton të ndiqni faqen e shoqatës sonë, Bereqeti, dhe mund ta shihni nga afër punën e madhe humanitare që është realizuar gjatë këtij muaji falë angazhimit dhe mobilizimit të imamëve dhe kordinatorëve të Bereqetit në secilin qytet të Kosovës.

Gjatë kontakteve që keni pasur me besimtarët, cilat janë shqetësimet kryesore të tyre?

Vedat ef. Sahiti: Gjatë këtij muaji të bekuar kemi qenë vazhdimisht të pranishëm në terren nëpër xhami, bashkë me xhematet tona. Gjatë atyre takimeve kemi pasur rastin të diskutojmë me besimtarët çështje të ndryshme fetare apo edhe të tjera, por ajo çfarë vërtet na shqetëson edhe ne po edhe besimtarët, është çështja e largimit të të rinjve tanë si pasojë e gjendjes së rëndë sociale e ekonomike.

Ajo që ka zgjuar vëmendjen e opinionit kohëve të fundit ka qenë qëndrimi i BIK-ut dhe bashkësive tjera fetare kundër miratimit të Kodit të ri Civil. Pse ishit kundër këtij dokumenti?

Vedat ef. Sahiti: Kohëve të fundit është diskutuar për Projektin e Kodit të ri Civil të Republikës së Kosovës, ku parashihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë. Me këtë rast edhe njëherë Bashkësia Islame e Kosovës dhe bashkësitë tjera fetare në vend kanë kërkuar nga institucionet e vendit ta rishikojnë këtë draft-ligj, për të cilin konsiderojmë se cenon themelet dhe shenjtërinë e familjes, si dhe atakon vlerat morale e familjare të popullit tonë.

U pa se qëndrimi juaj kundër kësaj çështjeje pati ndikim edhe te deputetët, të cilët e refuzuan miratimin e këtij kodi. Keni lobuar te deputetët për ta kundërshtuar kodin e ri?

Vedat ef. Sahiti: Të gjitha bashkësitë fetare në vend kemi dalë me një deklaratë të përbashkët kundër këtij projekti të kodit civil, me ç’rast i kemi bërë ftesë publike të gjithëve, sikur qeverisë po ashtu edhe kuvendit, por nuk kemi lobuar. Ne si besimtarë, gjithmonë do të jemi në mbrojtje të parimeve fetare dhe vlerave të fesë sonë të pastër që familjen e konsiderojnë të shenjtë e të paprekshme.

Gjatë këtij muaji, Myftiu është takuar me kryeministrin Kurti. Çka është diskutuar në këtë takim dhe cilat janë kërkesat e BIK-ut ndaj Qeverisë?

Vedat ef. Sahiti: Lidhur me këtë pyetje e keni njoftimin e kryeministrit.

BIK-u ende nuk ka status ligjor, a e keni diskutuar këtë çështje me institucionet e reja?

Vedat ef. Sahiti: Ligji nr. 02/l-31 për lirinë fetare në Kosovë, njeh pesë Bashkësitë fetare tradicionale në vend, por që në mënyrë specifike nuk e përmend statusin ligjor të Bashkësive fetare në vend. Rregullimi i statusit juridik të Bashkësive fetare në vend besojmë se duhet rregulluar sa më shpejt, ngase në mungesë të saj, bashkësive fetare u është vështirësuar funksionimi. Ne gjithnjë kemi ngritur këtë shqetësim, por akoma nuk kemi pasur ndonjë takim me zyrën ligjore.

Pas dy viteve, Festa e Bajramit do të kremtohet pa ndonjë masë kufizuese. Keni paraparë ndonjë aktivitet për këtë festë?

Vedat ef.Sahiti: Pas dy viteve të shkuara që i kaluam në përballje me pandeminë Covid-19, kësaj radhe, falë Zotit të Madhëruar, Ramazanin e shijuam pa masa kufizuese, rikthyem atmosferën e Ramazanit në shtëpitë e xhamitë tona. Uroj që Fitër-Bajramin ta presim të lumtur e të gëzuar me familjet e farefisin tonë sepse kemi kryer ibadetin e agjërimit, duke qenë gjithnjë të dobishëm për njëri tjetrin e vendin tonë.

Ta respektojmë njëri-tjetrin, të jemi pranë atyre që kanë nevojë për ne, sepse kjo festë bart në vete solidaritetin e bamirësinë. Gjatë këtyre ditëve të bajramit do të shpërndajmë dhurata për më të dashurit tanë, pra fëmijët gjithandej Kosovës përmes këshillave te Bashkësisë Islame dhe shoqatës Bereqeti.

Të ngjashme