Lajme
“Krijon pushtet të ri, rrezikon funksionimin e brendshëm të shtetit”, opozita kundër draftstatutit të Asociacionit
Demokracia
10:13 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Qeveria nuk ka arritur ta sigurojë mbështetjen e opozitës për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Partitë opozitare thonë se drafti që u soll në Kosovë  21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë,  mund ta kërcënojë funksionalitetin e brendshëm të shtetit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Mospajtim me përmbajtjen e draftit kanë shprehur fillimisht nga AAK.

AAK-ja thanë se kanë kritika për këtë draft, sidomos për mënyrën sesi referohet me rezolutën 1444. Sipas kësaj partie opozitare Asociacioni është në raport paralel me pushtetin qendror.

Nga AAK-ja kanë paralajmëruar se komentet me vërejtjet nen për nen do të publikohen në ditët në vijim.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – i pranuar në parim nga Kosova – është shqetësues, derisa ka kërkuar sqarime nga Kryeministri Albin Kurti, se pse ai nuk e ka propozuar në emër të Kosovës një draft për këtë mekanizëm.

“I gjithë dokumenti është shqetësues, logjika e dokumentit është shqetësuese, janë disa pika që janë shumë domethënëse, siç është rasti i arbitrazhit me të cilin bije fuqia e cilitdo institucion ligjor në Kosovë”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për televizionin publik.

Ndërsa, Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.

“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”, konstatuan LDK-ja pas mbledhjes së parë të kryesisë së re të partisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij.

“LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument”.

“LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin”.

“LDK-ja beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë.LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, u tha nga LDK.

Kritika për draftin kanë shprehur edhe nga PDK-ja.

Për çështjen e Asociacionit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur takime me krerët e partive opozitare.

Ajo dje pati takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.  Në një njoftim për media, u bë e ditur se Abdixhiku e ka njoftuar presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka refuzuar të marrë pjesë në takimet e kësaj natyre.

Krasniqi tha se takime të tilla nuk prodhojnë asgjë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Të ngjashme