Lajme
Kosovës i hapet rruga për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës, cilat janë procedurat e mëtutjeshme
Demokracia
08:53 | 28 Mars 2024

Share:

Republika e Kosovës të mërkurën e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Çështje Politike e ka miratuar opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila e rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.

Asociacioni kusht pas pranimit në KiE

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”.

Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në njoftimin e Komitetit pas takimit të 27 marsit u tha se ai duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit për Kosovën” që do të ndihmonte të sigurojë mbrojtje për të drejtat e serbëve në Kosovë, dhe sa i përket shpronësimit të pronave në veri, Komiteti tha se ato duhet të kryhen “duke respektuar ligjin” dhe në përputhje të plotë me Planin e Ahtisaarit.

Përmes njoftimit, Komiteti tha po ashtu se është në dijeni të “përkeqësimit të situatës së sigurisë në komunat në veri të Kosovës”, duke theksuar se “rreziku për dhunë në Kosovë është i madh” dhe se siguria varet “nga mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, përshkallëzimi i tensioneve dhe normalizimi i raporteve me Serbinë”, shkruanreporteri..

Duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për “diplomaci, dialog dhe kompromis”, duke i bërë thirrje Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa “paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

Edhe presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës së mërkurës ka deklaruar se themelimi i asociacionit nuk është kusht për pranim, përkundër zotimit të marrë nga liderët e shtetit.

Teksa ka komentuar letrën e tre liderëve të shtetit drejtuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakyoannis, e në të cilën u dha zotimi për zbatim të marrëveshjeve, në të cilat përfshihet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka deklaruar se “Kosova ka dhënë përkushtimin për themelimin e Asociacionit, nëpërmjet ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së vitit 2013, por edhe me Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit 2023”.

Të ngjashme