Sport
Kosova zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Andorrën, ‘Dardanët’ synojnë fitoren e parë drejt “Euro 2024”
Demokracia
21:31 | 27 Mars 2023

Share:

Të martën mbrëma, kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e radhës parakualifikuese për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

Kosova do të përballet me Andorrën, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se “Dardanët” kanë përfunduar stërvitjet e fundit sot dhe se janë të gatshëm ta synojnë fitoren në ndeshjen e nesërme.

“Atmosfera në radhët e Dardanëve para këtij dueli është shumë e mirë dhe të gjithë futbollistët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për ta shijuar fitoren e parë në rrugën drejt realizimit të objektivit madhor – kualifikimit në Evropian”, u bë e ditur në njoftimin e FFK-së.

Kujtojmë se kjo është ndeshja e dytë parakualifikuese e kombëtares, pas ballafaqimit të parë që e pati me Izraelin, e që përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.

Futbollisti Vedat Muriqi ka thënë se në këtë ndeshje synon vetëm fitoren.

“Pa e nënçmuar aspak kundërshtarin, në këtë ndeshje nuk mund ta mendoj dot një rezultat tjetër përveç fitores. Nëse duam të kualifikohemi në Evropian atëherë duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje”, ka theksuar Muriqi.

Të ngjashme