Lajme
Demokracia Plus: Kompania që zhvilloi punimet në kulmin e komunës së Prishtinës ka histori të mashtrimit në prokurim publik
Demokracia
12:36 | 08 Maj 2024

Share:

Kompania që zhvilloi punimet në kulmin e komunës ka histori të mashtrimit në prokurim publik, thuhet në analizën “Rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës – alarm për luftimin e korrupsionit në prokurim publik” të realizuar nga Demokraci Plus.

Demokraci Plus vlerëson se rasti i rrëzimit të kulmit të Prishtinës shpërfaq pasojat që shkaktohen nga mungesa e sanksionimit të kompanive që shkelin Ligjin e Prokurimit Publik.

Ardit Dragusha nga Demokraci Plus tha se kjo analizë ka për qëllim të shpalosë raste të caktuara të mashtrimeve në prokurim publik, të cilat nuk janë sanksionuar nga organet përgjegjëse, raporton KosovaPress.

“Me datën 18 janar 2024, si pasojë e erërave të forta, ra kulmi i Prishtinës duke shkaktuar dëmtime materiale dhe lëndime në njerëz. Kjo ngjarje shpërfaqi pasojat që shkaktohen nga mungesa e sanksionimit të kompanive të cilat në vazhdimësi shkelin Ligjin e Prokurimit Publik (LPP).

Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau 700 mijë euro për renovimin e kulmit të objektit të ri të komunës. Me kontratë u shpërblye kompania NBT-ING Sh.P.K., e cila ofertoi me 386 mijë euro, apo rreth 300 mijë euro më pak se vlera e parashikuar e kontratës. Kompania që u shpall fituese e këtij tenderi dhe zhvilloi punimet në kulmin e objektit të komunës, ka një histori të mashtrimit në prokurim publik”, deklaroi ai.

Ai theksoi se pronari i kësaj kompanie në dy raste të ndryshme është dënuar me vendim të gjykatës për falsifikim dhe mashtrim në prokurim publik.

“Në rastin e parë kompania NBT-ING Sh.P.K., në vitin 2018 kishte falsifikuar dokumente në tenderin për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Vërbeshticë-Shtërpc, në vlerë të parashikuar të kontratës 1 milion euro të iniciuar nga kompania e Suharekës. Gjykata Themelore në Prizren kishte shpallur fajtor pronarin e kompanisë, për veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe i shqiptoi gjobë në vlerë prej 900 euro.

Rasti i dytë Kompania NTB-ING Sh.P.K., vazhdoi të fitojë kontrata publike, dhe në rastin e dytë është në vitin 2020 në tenderin ‘Renovimi i objektit të Prokurorisë Speciale’, në vlerë rreth 1 milion euro. Edhe për këtë tender pronari i kompanisë u dënua me vendim të gjykatës për shkak të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik, duke u gjobitur në vlerë prej dy mijë euro. Pavarësisht dy rasteve të dënimit nga ana e gjykatës, kjo kompani vazhdojë të fitojë tender publik dhe deri tek rasti i Komunës së Prishtinës, ku ra kulmi”, shtoi ai.

Më tej, ai theksoi se Komuna e Suharekës dhe Këshilli Prokurorial nuk kishin bërë kërkesë në organin shqyrtues të prokurimit publik për diskualifikimin e kompanisë përkatëse.

Egzona Kozhani nga Demokraci Plus tha se dënime të tilla nuk janë në proporcion me nivelin e rrezikut.

“Këto dallime në mes të vendimeve të gjykatave dhe shkeljeve po shpërfaqin një mos përputhje në vendimmarrje prej organeve kompetente. Gjithashtu po inkurajojnë operatorët ekonomik që të vazhdojnë me kryerjen e këtyre vendimeve.

Andaj, në këtë linjë Demokraci Plus rekomandon që kurdo që ka raste kur dërgohen dokumente të falsifikuara, autoritetet kontraktuese të përdorin listën e zezë dhe të diskualifikojnë operatorët ekonomik. Gjithashtu, gjykata gjatë marrjes së vendimit të kenë parasysh rrezikun e shkaktuar nga shkelja dhe të shqiptojnë dënime në proporcion me rrezikun e shkaktuar”, tha ajo.

Të ngjashme