Intervista
Kosova kthehet në destinacion për azilkërkuesit, shkak pandemia
Demokracia
19:01 | 20 Qershor 2021
Foto: Ilustrim

Share:

Shefi i Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç në një intervistë dhënë për Demokracia.com ka thënë se pandemia ka zvogëluar numrin e azilkërkuesve në Kosovë, megjithatë ky numër ka shënuar sërish rritje gjatë dy javëve të fundit.

Ai thotë se kryesisht janë refugjatë të ikur nga konflikti në Siri e të cilët përfundojnë si azilkërkues në Kosovë. Derisa shton se për shumicën, Kosova ka qenë vend tranziti e jo destinacion, megjithëse kjo tashme ka ndryshuar.

“Por edhe kjo ka ndryshuar. Gjatë pandemisë, shumë nga ata që e kanë menduar vetëm të kalojnë nëpër Kosovën, janë detyruar që të qëndrojnë këtu më gjatë. Para pandemisë kanë qëndruar në Kosovë mesatarisht një javë deri në dy. Ndërsa tani qëndrojnë nga dy apo tre muaj. Pra, gradualisht, Kosova është kthyer edhe në destinacion”, thotë Arduç.

Arduç thotë se sfidë e madhe për ta është edhe që të sigurohet kthim i qëndrueshëm i personave të zhvendosur nga Kosova, të cilët dëshirojnë të kthehen, të integrohen në shoqëri, në komunitetin lokal, të punësohen e të arsimohen.

“E para, janë personat e zhvendosur nga Kosova. Ka refugjatë nga Kosova, për shembull në Maqedoninë Veriore e në Mal të Zi, ka persona të zhvendosur në Serbi, ka persona të zhvendosur përbrenda në Kosovë. Ky është grup i njerëzve që ende kërkon zgjidhje. Sfidë këtu është që të sigurohet kthim i qëndrueshëm i atyre që dëshirojnë të kthehen, të integrohen në shoqëri, në komunitetin lokal, të punësohen, të arsimohen. Kjo është sfidë e madhe, ende. Kjo ka kërkuar edhe nga ne të transformoheni, të modernizohemi, të kemi qasje që i përshtatet kohës. Ne ndihmojmë që këta të mund të vendosen këtu, të marrin leje qëndrimi, të integrohen, të bëjnë jetë të dinjitetshme. Ne besojmë se mënyra se si e trajton një qenie njerëzore kur është në pikën më të dobët, tregon se çfarë shoqërie në përgjithësi je. Duhet kuptuar se azilkërkuesit kanë arsye të fortë që të ikin nga vendet e tyre. Por, është edhe kategoria tjetër, migrantët. Motivet e tyre mund të jenë tjera, që kërkojnë jetë më të mirë, punë më të mirë, edukim më të mirë. Pra, jo detyrimisht janë persona që u ikin persekutimeve, siç është rasti me refugjatët. Refugjatët janë njerëz që nuk kanë ku të kthehen. Në këtë grup ka njerëz nga Afrika e Veriut e deri te Afganistani”, thotë ai. /Demokracia.com/.

Të ngjashme