Lajme
Lëvizja Feministe Studentore ndërpret konferencën e MAShTI-t, kërkon përjashtimin e Xhevat Krasniqit
Demokracia
11:42 | 26 Prill 2024

Share:

Lëvizja Feministe Studentore ka ndërprerë Konferencën STEMinists’24 e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kërkesë e tyre ishte përjashtimi i profesorit, Xhevat Krasniqi, nga Universiteti i Prishtinës, i denoncuar për ngacmim seksual.

Më 23 prill, me rekomandimin e Këshillit të Etikës, Rektori i Universitetit të Prishtinës ka aprovuar vendimin për ta pezulluar nga detyra profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi.

Paraprakisht, në mbledhjen e së martës, Këshilli i Etikës kishte rekomanduar suspendimin e profesorit Xhevat Krasniqi, dhe dërgimin e rastit të tij në organet kompetente.

“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xhevat Krasniqi me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet në vendimin e Rektoratit Qerim Qerimi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar më vonë se ka inicuar rast në drejtim të veprës penale “ngacmimi seksual” ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas KPRK-së”.

Të ngjashme