Lajme
Konfirmohet raportimi i Demokracia.com, kosovarët e arrestuar po mbahen në paraburgim në Serbi
Demokracia
15:51 | 26 Mars 2022

Share:

Raportimi i Demokracia.com për arrestimin e dy kosovarëve nga xhandarmëria serbe në zonën kufitare Kosovë-Serbi është konfirmuar edhe në mediat serbe.

Policia e Serbisë ka bërë të ditur për arrestimin e dy personave në rajonin e Kurshumlisë, me inicialet G.M (22 vjeç) dhe N.M (53 vjeç), që përputhen me dy të arrestuarit në fshatin Perpellac të Podujevës për të cilët raportoi ekskluzivisht Demokracia.com.

“Personat në fjalë janë arrestuar për shkak të dyshimeve se kanë kryer vepër penale të vjedhjes së pyllit. Policia i ka arrestuar të dyshuarit në vendin Dabinovac, ku në mënyrë të jashtëligjshme ishin duke e prerë pyllin dhe me këtë rast u është konfiskuar traktori me rimorkio dhe motorsharra të cilën të dyshuarit e kanë përdorur për ta kryer veprën penal”, kanë thënë policia serbe për mediat në Serbi, pa treguar që bëhet fjalë për dy kosovarë nga Komuna e Podujevës.

Sipas tyre, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ata po i ndjekin procedurat e mëtutjeshme me prokurorin kujdestar.

Njësitë e xhandarmërisë serbe i kishin arrestuar dy shtetas të Kosovës të premten rreth orës 14:00, në zonën kufitare Kosovë-Serbi.

Demokracia.com ekskluzivisht ka raportuar se të arrestuarit janë Nexhmi M. 53 vjeçar dhe Gentian M. 21 vjeçar (identitete të njohura për redaksinë).

Ata, sipas versionit të familjarëve të tyre, ishin arrestuar nga xhandarmëria serbe në fshatin Perpellac të Podujevës, që është afër fshatit Dabinovac, ku policia serbe ka konfirmuar se janë arrestuar dy persona.

Të njëjtëve, Demokracia.com ka raportuar se autoritetet serbe ua kishin konfiskuar edhe një traktor me rimorkio.

Rasti në polici është lajmëruar nga një familjar i tyre gjatë ditës së sotme, me të cilin ka komunikuar Demokracia.com, mirëpo i njëjti nuk ka shprehur gatishmëri të prononcohet rreth kësaj ngjarjeje. /Demokracia.com/

Lexo edhe: 

EKSKLUZIVE| Xhandarmëria serbe arreston dy kosovarë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

Të ngjashme