Lajme
Përfundon takimi për dinarin në Bruksel, Bislimi e cilëson të dështuar
Demokracia
18:11 | 15 Maj 2024

Share:

Ka përfunduar takimi në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, sërish, pa marrëveshje.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Bislimi, konfirmoi në konferencë se i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët në takim.

Takimi trepalësh sot ka nisur pak para orës 10:00.

Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit. Pas takimit të fundit me 25 prill, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pas takimit akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.

Të ngjashme