Lajme
Konfirmohet| Jep dorëheqje zëvendësministrja e Arsimit
Demokracia
09:59 | 01 Gusht 2023

Share:

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit Edona Bërdyna, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Demokracia.com ka raportuar të hënën se Bërdyna është larguar nga MASHTI.

Më pas Bërdyna ka konfirmuar sot se është dorëhequr nga MASHTI për ta vazhduar angazhimin në shkencë.

Ajo ka pasur një takim me kryeministrin Kurti duke theksuar se ishte në frymë pozitive.

LEXO EDHE:

DOKUMENT | Largohet edhe një zv/ministre nga Qeveria Kurti

Njoftimi:

Të dashur qytetarë, kolegë e miq,

Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti.

Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim.

Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare.

U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim.

Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë.

Përzemërsisht,

Dr. Edona Maloku Bërdyna

Të ngjashme