Lajme
Konfirmohet edhe nga KPK: Blerim Isufaj renditet i pari në garën për Kryeprokuror të Shtetit
Demokracia
20:26 | 18 Mars 2022

Share:

Pas përfundimit të intervistës së kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj është renditur i pari pas kalkulimit të pikëve.

Kështu ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Sipas njoftimit të KPK-së pas Isufaj, i dyti është renditur Shqipdon Fazliu, i treti Kujtim Munishi, i katërti Armend Hamiti dhe i pesti Lulzim Sulejmani.

Në bazë të rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, pas votimit dhe shpalljes së rezultateve, atëherë votimi për emërimin e kryeprokurorit të shtetit duhet të aprovohet në mbledhjen e Këshillit Prokurorial, transmeton Demokracia.com.

“Secili nga kandidatët ka pasur në dispozicion 45-60 minuta kohë për t’u përgjigjur në pyetjet e pesë anëtarëve të komisionit. Procesi i intervistimit është monitoruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa të gjitha intervistat janë xhiruar nga Radiotelevizioni i Kosovës dhe nesër e shtunë, 19 mars 2022, të njëjtat do të transmetohen nga ky medium publik. Pas përfundimit të intervistës, secili nga anëtarët e Panelit vlerësues ka bërë në mënyrë të pavarur poentimin e kandidatëve, ndërsa pas kalkulimit të të gjithë poenëve, në prani edhe të monitoruesve të këtij procesi, kandidatët janë renditur si në vijim: Blerim Isufaj; Shqipdon Fazliu; Kujtim Munishi; Armend Hamiti; Lulzim Sulejmani. Në pajtim me rregulloren për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, paneli vlerësues, brenda pesë ditëve nga dita e përfundimit të procesit të vlerësimit do t’i njoftojë kandidatët me poentimin përfundimtar dhe poentimin individual të anonimizuar nga secili anëtar i Panelit vlerësues, bashkë me arsyetimin për secilën kategori poentuese”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Më herët u raportuar se kandidati Blerim Isufaj në intervistim ka marrë 98.00 pikë, Shqipdon Fazliu ka marrë 92 pikë, Kujtim Munishi ka marrë 84.2 pikë, Armend Hamiti 80.60 pikë dhe Lulzim Sulejmani 74.2 pikë. /Demokracia.com/

Të ngjashme