Lajme
“Komunat po i shpallin luftë shtetit”, Ibrahimi i reagon ashpër Kurtit: Kërko falje
Demokracia
14:22 | 03 Shtator 2022

Share:

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka reaguar ashpër kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se komunat duke mos i dorëzuar listat e pagave po i shpallin luftë shtetit.

Një një prononcim për Demokracia.com, Ibrahimi ka thënë se deklaratat e tilla janë duke e acaruar situatën.

“Ne mendojmë që deklaratat e tilla janë duke e acaruar situatën dhe kjo ka qenë një ndër brengat e  kryetarëve të komunave në takimin e Këshillit të Kryetarëve”, tha Ibrahimi.

Ai ka shtuar se kryetarët e komunave kanë dhënë kontribut të madh për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Duhet ta ketë të qartë kryeministri dhe besoj që e dinë se që nga kryetari i Vitisë, Hanit të Elezit, Kaçanikut, Ferizajt, Lipjanit, Obiliqit, Drenasit, Skenderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Pejës, Deçanit, Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës, të gjithë këta kryetarë kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë  për ta pasur këtë shtet”, shtoi ai për Demokracia.com.

Sipas tij, kryetarët e komunave kanë sakrifikuar shumë për shtetin, duke mos kursyer asgjë.

“Kemi kryetarë që kanë sakrifikuar edhe familjarët, kanë sakrifikuar edhe vetën. Kemi kryetarë të cilët kanë rrënuar kufirin shqiptaro-shqiptarë dhe të gjithë kryetarët e komunave kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë që të kemi këtë shtet dhe asnjë kryetar nuk e lufton shtetin e vet”, u shpreh ai.

Ibrahimi tha për Demokracia.com se Kurti duhet të kërkojë falje për këtë deklaratë.

“Kërkojmë nga kryeministri Kurti që përmes mediave t’u kërkojë falje kryetarëve të komunave për deklaratën e fundit, që kryetarët janë duke e luftuar shtetin. Si mund të luftojnë kryetarët të cilët kanë sakrifikuar veten dhe familjarët e tyre, duke filluar nga Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në këtë rast si dhe Kryetari i Obiliqit, ai i Lipjanit dhe të gjithë kryetarët e komunave. S’ka ndonjë logjikë që kryeministri ta thotë një deklaratë të tillë”, tha ai./ Demokracia.com/

Kurti me akuzë të rëndë ndaj komunave: Po i shpallin luftë shtetit

Të ngjashme