Gjykata Kushtetuese është duke e zvarritur kërkesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për sqarime lidhur me aktgjykimin e Supremes, përmes të cilit iu dha të drejtë qytetarëve për të kërkuar kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore. Por, se kur do të dalë më aktgjykim nuk dihet, meqë s’ka ndonjë afat të vendimmarrjes në këtë rast, shkruan Demokracia.com.
Të gjitha institucionet ligjore në Kosovë kanë vendosur që qytetarëve duhet t’u kthehen paratë e tyre të cilat u shpenzuan për disa vite për t’i mbuluar faturat e energjisë elektrike në veri të Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë kundër. Për më tepër, ato janë kujdesur që të mos zbatohet vendimi.
Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës. Ndërsa, që gjashtë vite, Qeveria është duke paguar miliona euro, para të taksapaguesve kosovarë, për rrymën e shpenzuar në veri.
Avokati i Popullit kishte ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore për qytetarët që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.
Para pak muajve, padia kishte marrë miratim të formës së prerë nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe në vitin e kaluar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Por, ZRRE nuk po dëshiron ta zbatojë këtë vendim, që 40 milionë euro t’u kthehen qytetarëve të Kosovës, të cilëve ua morën paratë nga xhepi.
Ministria e Financave do të duhej që 40-milionë eurot t’i derdhte në llogarinë bankare të ZRRE-së, porse kjo e fundit po mundohet ta shtyjë vendimin në pafundësi.
Para pak muajve, ZRRE i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, anise ajo ka dhënë mendim në këtë çështje.
“Më lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, ka parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me datë 24.05.2023. Nga Gjykata Kushtetuese me datë 16.06.2023, ZRRE-ja është njoftuar për regjistrim të rastit dhe është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata”, kanë bërë të ditur para disa muajve nga zyra për informim e ZRRE-së, përcjell Demokracia.com.
Kanë kaluar 6 muaj dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk ka nxjerr një vendim.
Më 13 prill të këtij viti, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të papaguar në katër komunat veriore.
Supremja ka konstatuar se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE.
“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mosinkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mospasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, që bie ndesh me nenin 55 par. 4 të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lind e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2022 kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të Republikës së Kosovës. I njëjti aktgjykim e obligonte ZRRE-në që të ndërmarrte veprime që e obligojnë KEDS-in të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.
Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës dhe faturat për komunat në veri ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.
Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohej, sepse ishte joligjore.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, ka detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga 2012-2017 kanë paguar rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.
Vendimin për pagesën e rrymës së banorëve serbë në veri të Kosovës më herët e kishte marrë vetë ZRRE-ja, kurse për inkasimin e faturave, të cilat kanë përfshirë edhe shpenzimet në veri, qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të njoftuar.
“Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka afat deri më 13 qershor 2022 që t’i pajisë konsumatorët e energjisë elektrike në veri me njësorë dhe të bëjë faturimin, ndryshe rrezikon ta shkelë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit”. Këtë detyrim ia kishte dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës me anë të aktgjykimit të publikuar më 13 janar 2022. Por, kjo nuk ka ndodhur akoma.
“Gjykata fillimisht sqaron se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e Aktit të kontestuar të Kuvendit, të 6 majit 2021, me të cilin: (i) është autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në pikën dy të aktgjykimit të publikuar më 13 janar të këtij viti.
“(ii) është obliguar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”, thuhet më tej.
Kjo pikë jo vetëm që obligonte Qeverinë e Kosovës të shtrinte sistemin, përkatësisht instalimin e njësorëve, por edhe faturimin e konsumatorëve. Ndryshe, Qeveria ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht edhe të sovranitetit të vendit.
Në aktgjykimin e bazuar në pretendimet e Blerta Deliut – Kodrës dhe 12 deputetëve tjerë, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se Vendimi i Kuvendit të Kosovës i 6 majit për të paguar devijimet e KOSTT-it për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës nuk përbën shkelje kushtetuese.
Kuvendi i Kosovës kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.
Gjykata më tej sqaronte se “bazuar në dokumentacionin e pranuar nga palët e interesuara, si rezultat i mosfaturimit të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, humbjet e energjisë elektrike janë regjistruar ‘si devijim i Kosovës ndaj sistemit të Evropës Kontinentale’. Pas shfuqizimit të Vendimit të lartcekur të ZRRE-së dhe deri në prill të vitit 2021, këto humbje, përkatësisht devijimet në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, janë mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës”.
Gjykata ka theksuar se si rezultat i mosfaturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër komunat e Republikës së Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në këto katër komuna është regjistruar si devijim.
Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës pritet të përballet më një presion tjetër, sepse qytetarët kanë shpërthyer në rrjetet sociale lidhur më faturat e larta që u kanë shkuar në muajin e fundit. /Demokracia.com/