Lajme
Komentet për draft-statutin, presidentja dhe opozita po e presin Qeverinë: Pse Kurti s`po e dërgon Asociacionin në Kushtetuese?
Demokracia
10:11 | 20 Janar 2024

Share:

Pavarësisht kërkesës eksplicite të BE-së për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, Qeveria e Kosovë nuk po e bën një gjë të tillë. Ndonëse kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi edhe publikisht kanë treguar se janë pajtuar për dërgimin e dokumentit në Kushtetuese, ata ende nuk kanë treguar se kur do ta ndërmarrin një veprim të tillë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë me dije se themelimi i Asociacioni është paraparë në disa faza.

Ai ka treguar se faza e parë është dërgimi i draft-statutit në Gjykatë Kushtetuese.

“Jo në asnjë rast. Qeveria e Kosovës vetëm ka thënë kështu: Procesi i veprimeve në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit i ka disa faza kur bëhet fjalë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Njëra prej fazave është dakordimi i Qeverisë që një draft ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj gjatë dakorodimit që ky draft të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, Serbia e ka për detyrë t`i kryej disa obligime të saj”, ka thënë Bislimi në një intervistë për RTK.

Më tej, ai ka përmendur edhe fazat tjera të procesit për të cilat palët janë pajtuar.

“Pastaj është faza tjetër, ku Gjykata Kushtetuese e jep mendimin e vet dhe në këtë fazë është paraparë se Serbia duhet t`i kryej disa obligime, ndërtimin e fqinjësisë etj. Pastaj, është faza e tretë ku Qeveria pas vendimit eventual pozitiv ose modifikimeve të Gjykatës Kushtetuese nxjerr dekretin e saj dhe pasojnë veprime tjera të Serbisë”, ka theksuar Bislimi.

Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë për gazetën “Express”, ai ka shkruar se Asociacioni duhet të themelohet nga Qeveria e Kosovës dhe më pas të dërgohet në Kushtetuese.

“Përfundimisht, Asociacioni do të duhet të themelohet me vendim të Qeverisë. Siç e kuptojmë ne dhe sipas Marrëveshjes së vitit 2015, një vendim i tillë formal duhet të merret përpara se dokumenti të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm ta studiojmë shpjegimin ligjor që tregon rendin e kundërt, nëse do të paraqitet ky shpjegim. Në çdo rast, koha është esenciale, pasi që shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese përbën një gur themeli për krijimin e Asociacionit. Së bashku me gjithë komunitetin ndërkombëtar, e inkurajoj qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapat e duhur pa vonesa të panevojshme”, ka thënë Lajçak.

Presidentja dhe opozita i kanë gati komentet

Presidenca dhe opozita janë duke e pritur veprimin e Qeverisë për të dërguar dokumentin në Gjykatë Kushtetuese.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka shprehur rezervat e saj për draft-statutin, ka thënë se tashmë i ka gati komentet rreth këtij dokumenti dhe do t`i dërgojnë në Kushtetuese.

“Kushtetuesja duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky institucion duhet t`i trajtojë çështjet me dykuptimësi, të cilat mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. E kam analizuar draftin dhe sapo i njëjti të ndodhet në Kushtetuese, unë do t`i dërgoj komentet e mija, të cilat do të jenë në funksion të sqarimit të disa çështjeve, të cilat mund të krijojnë probleme serioze në rast se nuk sqarohen, gjithnjë duke pasur parasysh kushtetutën e vendit dhe vendimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2015”, ka thënë Osmani në një intervistë për gazetën “Reporteri”.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ekspertet e kësaj partie do t`i dërgojnë komentet e tyre në Kushtetuese për draftin.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se këto komente do të dërgohen në mënyrë zyrtare.

“Ka edhe çështje të tjera, të cilat ne i kemi analizuar dhe të cilat pa dyshim që nëse dërgohet në Gjykatë Kushtetuese ne do t`i marrim veprimet tona dhe do t`i themi komentet tona në mënyrë zyrtare”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se fillimisht kryeministri Albin Kurti duhet të marrë një qëndrim zyrtar për draftin.

“Para se të jepet vendimi final, duhet ta kemi qëndrimin zyrtar dhe final të kryeministrit të Kosovës. Sot askush nuk mund të thotë se kryeministri e ka pranuar këtë draft të statutit”, është shprehur Krasniqi.

Para se dokumenti të dërgohet në Kushtetuese, ka thënë Krasniqi, Qeveria duhet të marrë një vendim.

“Për ta dërgua në Gjykatë Kushtetuese, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhje zyrtare duhet të marrë një vendim me e miratu draftin. Sepse ndryshe nuk mund të shkojë në Gjykatë Kushtetuese”, është shprehur Krasniqi.

Të ngjashme