Lajme
Koha kur Përparim Rama e kundërshtonte ndërtimin e Xhamisë në Dardani të cilës dje i lëshoi leje ndërtimore
Demokracia
15:13 | 14 Qershor 2022

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili dje u krenua me dhënien e lejes për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në lagjen Dardania në Prishtinë, dikur e kundërshtonte këtë projekt. 

Në vitin 2018 Rama kishte thënë se ndërtimi i kësaj xhamie në atë lokacion është i gabuar në aspektin urban, arkitektonik, tradicional e historik, shkruan Demokracia.com.

Ai kishte thënë se nuk duhet lejuar ky gabim, duke shtuar se Xhamia e Madhe duhet ndërtuar tek Prishtina e vjetër. Megjithatë vetë Rama, tash si kryetar i Prishtinës, e shpërfilli këtë ide, duke dhënë lejen për ndërtimin e Xhamisë në Dardani.

“Pozita e tanishme, tek Posta, është e gabuar nga aspekti urban, arkitektonik, tradicional e historik. Për hir të qytetit tonë dhe të gjithë qytetarëve e sidomos të komunitetit Islam nuk duhet të lejojmë të bëjmë këtë gabim, kur kemi mundësinë të rigjenerojmë pjesën më të rëndësishme të kryeqytetit tonë. Pozita në Prishtinën e vjetër, aty ku janë tri xhamitë dhe Hamami, ku ka qenë Çarshija e Vjetër, aty ku është tregu, aty ku kanë fillu celulat e para të qytetërimit të Prishtinës, aty duhet të jetë edhe Xhamia e Madhe. Rrugët përreth duhet të shndërrohen në rrugë këmbësorësh. Të gjithë hapësirat publike duhet të rehabilitohen dhe të na e përkujtojnë historinë tonë, Prishtinën e Vjetër”, kishte shkruar Rama.

Ai thoshte se Sheshi Nëna Terezë duhet të lidhet me këtë pozitë, edhe të vazhdojë në anën tjetër deri te Katedralja.

Kësisoj, sipas tij, duhet të bëhet edhe ndërlidhja e feve/besimeve që na karakterizojnë si komb si nga aspekti shpirtëror edhe nga ai urban.

“Paramendoni lidhjen e të gjitha Xhamive përreth me hapësirën publike për këmbësorët, dyqanet me filigranë, zejet e ndryshme, tregu e produktet vendore, me përplot histori e trashëgimi” ka treguar Rama, arkitekt i njohur kosovar. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme