Lajme
Koha kur Kurti përkrahte mësimdhënësit dhe thoshte se kanë të drejtë për rritje të pagës
Demokracia
10:06 | 12 Shtator 2022

Share:

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Albin Kurti çdo herë ka qenë në përkrahje të grevistëve.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kohën kur ishte në opozitë, iu ka dhënë përkrahje maksimale mësimdhënësve në kërkesën e tyre për rritje të pagës, shkruan Demokracia.com.

Më 22 janar të vitit 2019, Albin Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kishte shkruar se për gjendjen e krijuar në arsim është fajtore Qeveria dhe se sipas Kurtit, Qeveria e asaj kohe i vlerësonte shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit civilë.

Sipas Kurtit, Qeveria e atëhershme kishte krijuar pabarazi dhe rrjedhimisht sipas tij, përmes kësaj pabarazie ishte krijuar edhe varfëria e varfërimi i mësimdhënësve.

Kurti tutje në këtë postim të tij të janarit të vitit 2019, kishte thënë se zgjidhja e vetme është rritja e pagave për mësimdhënësit si dhe rritja e cilësisë në arsim.

“Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”, kishte shkruar Kurti atë botë kur ishte në opozitë, përcjell Demokracia.com.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Pabarazia vs. Varfëria?

Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbëtorët politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre. Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram. /Demokracia.com/

Të ngjashme