Lajme
Kodi Civil si kundërpeshë e Asociacionit? – Premtimi i Kurtit për ta amortizuar presionin ndërkombëtar
Demokracia
15:25 | 27 Prill 2024

Share:

Në kohën kur çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është pengesa kryesore në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evorpës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi shtyrjen përpara të Projektkodit Civil – ku i përfshirë është edhe ligji për martesat brenda gjinisë së njëjtë e i cili nuk u miratua në lexim të parë në Kuvend në vitin 2022 – duke tentuar kështu amortizimin e presionit të madh perëndimor mbi këtë mekanizëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Gjermania, kërkuan që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën duke dërguar draft-statutin e këtij mekanizimi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim – para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ndërsa Kurti në shpërfillje të kësaj kërkese premtoi se “personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare”, në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

Mbi këtë bazë, analisti politik, Agon Maliqi, beson se kryeministri Kurti ka gjetur mënyrë për ta rrëzuar qeverinë “me nder” duke e vendosur pikërisht tani, në kulmin e presionit për Asociacionin, çështjen e Kodit Civil në agjendë.

“Gjë për të cilën ai e di se nuk i ka votat dhe që do t’i shkaktojë rebelim nga konservatorët. Skenar i mirë: hem patriot pa Zajednicë, hem martir progresiv në sytë e Evropës, hem fitore për konservatorët fetarë”, shkroi Maliqi në platformën socaile, Facebook.

Edhe Florian Bieber nga Qendra e Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, është skeptik për motivet e Kurtit në raport me premtimin e tij për Projektkodin Civil.

“Njoftimi i tij në Berlin duket se është një hap që ka të bëjë më shumë për të marrë mbështetjen e Perëndimit. Sigurisht është një vendim i mirë për çdo vend, por motivi ka rëndësi”, shkroi ai në platformën sociale, X.

Ndërkaq kryetari i delegacionit të Gjermanisë në Këshillin e Evropës, Frank Schwabe dhe kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, (ESI), Gerald Knaus, ndërsa shprehën rezervat e tyre për mundësin që Kosova ta kalojë fazën e fundit – votimin e Këshillit të Ministrave – drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, marrë për bazë kërkesën e Perëndimit për Asociacionin, vlerësuan se Kosova mund ta përmirësojë pozitën e saj, nëse arrin që brenda javëve të ardhshme të miratojë së paku Kodin Civil.

Deputeti gjerman Frank Schwabe, shprehu rezerva për mundësin që Kosova ta kalojë fazën e fundit – votimin e Këshillit të Ministrave – drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Nga këndvështrimi i sotëm, shanset janë 50/50 për qind. Hapi domethënës që arritëm me shumicën në Asamblenë Parlamentare sigurisht që ka lënë përshtypje te qeveritë, ministrat dhe komisionet. Por, ka ende shumë për të bërë”, tha politikani socialdemokrat për DW.

Parashtrimin e një kushti për Asociacionin nga perëndimi e konfirmoi edhe deputeti gjerman.

Sipas tij disa vende po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë moment për të zhbllokuar dialogun e ngecur prej kohësh mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka qeveri që tani duan të sjellin nga dera e pasme atë që nuk u arrit kurrë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se kjo është gabim”, ka vlerësuar ai.

Skeptik për një sukses në fazën finale, në këtë fazë, u shpreh edhe Knaus.

“Ne vëmë re që presidenti i Serbisë po bën një fushatë të sukseshme për të bindur shtetet kyçe në Evropë që të shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës për momentin, duket sikur presidenti Vuçiç do ta fitojë këtë betejë”, i ka thënë ai DW.

Si për Schwabe ashtu edhe për Knaus, gjithë në këtë mes është një gjë është e qartë – Kosovës do t’i duhet shumë punë diplomatike në javët e ardhshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien kërkoi “përparim urgjent” në raport me këtë mekanizëm.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Ndryshe më 16 mars të vitit të kaluar, Projektkodi Civil nuk kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë seancës plenare të 16 marsit, disa deputetë – edhe nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – kundërshtuan pjesën e legjislacionit që lejonte “bashkësitë civile”.

Mospajtimet e deputetëve ishin lidhur me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Atëbotë, edhe krerët e katër bashkësive fetare në Kosovë kundërshtuan, siç thanë, ndryshimin e përkufizimit të martesës.

Të ngjashme