Sport
Klubi i madh shqiptar afër marrëveshjes me Bylbyl Sokolin
Demokracia
14:59 | 27 Dhjetor 2022

Share:

Skuadra e Kukësit e ka me urgjencë emërimin e trajnerit të ri. Dy janë pistat për momentin, konfirmimi i Rrahman Hallaçit që e mori detyrën përkohësisht pas dorëheqjes së Enkeleid Dobit apo zyrtarizimi i një trajneri të ri.

Për momentin, të dyja po shihen me shumë interes nga ana e klubit dhe ende nuk mund të thuhet me siguri se çfarë vendimi do të merret.

Megjithatë, sipas burimeve në klub, gjasat më të mëdha janë që të gjendet një timonier i ri dhe t’i jepet besimi deri në fund të sezonit, me shpresën se me ndërhyrjet në afatin kalimtar të janarit do të arrihet edhe Evropa.

Bylbyl Sokoli ka qenë një alternativë e Kukësit në kohën kur bankina e Dobit po vihej në dyshim, pasi tekniku u pa në disa ndeshje në tribunë. Mirëpo, atë kohë klubi e mohoi që Sokoli ishte një opsion, kjo edhe për faktin se i kishin dhënë besimin Dobit.

Tani, me largimin e tij dhe me një bankinë vakante, shtohen zërat për një bashkëpunim për pjesën e mbetur të sezonit.

Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verilindor, pohojnë se Sokoli është një opsion konkret dhe palët shumë shpejt mund të arrijnë në një marrëveshje.

Gjithsesi, ndryshe nga sa ka ndodhur zakonisht, kur ishin kuksianët ata që i vendosnin kushte trajnerit, tani është ky i fundit që ka vënë kushtet e tij.

Të ngjashme