Lajme
“Kjo qeveri është amatore”| Rukiqi: Menaxhimi i mjeteve vetanake, kompetencë e komunave
Demokracia
14:59 | 08 Prill 2023

Share:

Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se lëvizja e fundit lidhur me mjetet vetanake të komunave përbën një tentativë të radhës të qeverisë për ta shkelur Kushtetutën.

“Sikur kjo qeveri e ka të pamundur që të mos bëjë shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës. Është një veprim arbitrar i Ministrisë së Financave. Është një veprim që po e bën me ose pa dashje por që shkon kundër zhvillimit të komunave”, është shprehur Rukiqi.

Ai në emisionin e ekonomisë Portofol në Klan Kosova FM ka theksuar se menaxhimi me mjete vetanake u përket vetë komunave.

“Qeverisja e komunave, menaxhimi i mjeteve vetanake, është kompetencë ekskluzive e komunave. Ato mund të vendosin si të destinohen ato mjete. Akolimi, si të përdoren mjetet është kompetencë e komunave sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike”.

Nëse Ministria e Financave nuk do të tërhiqet, Rukiqi, ka theksuar se edhe ky vendim do të shkojë për konsultim në Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo qeveri është shumë amatore në veprimet e veta.  Kur po dërgojmë ligje në Kushtetuese e po i kthehen si antikushtetuese, po e interpretojnë si pengim të reformave. Gjykata Kushtetuese ka garantuar një qasje të drejtë dhe proakrive në mbrojtje të kushtetutshmërisë deri tash”.

Të ngjashme