Lajme
KFOR përgënjeshtron Kurtin: Ne s’kemi marrë pjesë në vlerësimin e sigurisë në veri
Demokracia
20:00 | 04 Gusht 2023

Share:

Pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli për reduktimin e njësive policore në dhe përreth objekteve komunale në veri edhe për 25 për qind, pra total 50 për qind, ku tha se një gjë e tillë është bërë pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që u mbajt të mërkurën në mes të drejtuesve të Policisë së Kosovës, EULEX-it, dhe KFOR-it, përmes një reagimi nga misioni i NATO-s në Kosovë kanë thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në koordinim me ta, duke përgënjeshtruar kështu kreun e ekzekutivit kosovar.

“Për të sqaruar, vlerësimi i fundit i situatës së sigurisë në dhe rreth ndërtesave komunale është bërë nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i, pa miratimin e KFOR-it”.

Përkundër kësaj, Misioni i NATO-s në Kosovë, megjithatë ka mirëpritur këtë vendim.

“KFOR-i mirëpret hapat për të ulur tensionet në Kosovë, duke përfshirë reduktimin e pranisë së Policisë së Kosovës pranë ndërtesave komunale”, thanë nga KFOR-i.

Ndryshe nga KFOR-i, kryeministri i Kosovës, në reagimin e tij për reduktimin e njësive policore në dhe përreth objekteve komunale në Veri edhe për 25 për qind, tha se një gjë e tillë ka ndodhur pas vlerësimit të situatës së sigurisë në mes të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

“Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë”.

Ndërkaq, ai tregoi se ky zvogëlim do të ndodh vetëm afër ndërtesave komunale, dhe jo në pjesën tjetër të vendit.

“Zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të reduktuar numrin e njësive policore për të dytën herë për 25 për qind, pra total 50 për qind, në dhe përreth objekteve komunale të komunave Veriore – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok.

Përmes një cicërime në Twitter, Lajçak tha se “e mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, siç është rënë dakord në Bratislavë”, duke iu referuar takimit në kryeqytetin e Sllovakisë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi..

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë të tensioneve në Veri të Kosovës”, theksoi ai.

Policia e Kosovës nga e premtja ka filluar zvogëlimin e njësive policore edhe për 25 për qind përreth objekteve komunale të komunave në Veri, kjo pas 25 për qindëshit të parë si pjesë e planit të de-eskalimit të situatës në Veri, që u dakordua me 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën e policisë, ndryshe nga KFOR-i, thonin se kjo ka ardhur si rezultat i takimit punues në mes të Policisë së Kosovës, Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX-it dhe KFOR-it, në kuadër të zbatimit të dakordimit të arritur në Bratislavë, përkatësisht hapit të dytë të këtij dakordimi, “për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave Veriore”.

“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri”.

Aty potencohej se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, “do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”.

Ndërsa, tërheqja e 25 për qindëshit të parë e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në Veri dhe zonat përreth tyre kishte përfunduar me 13 korrik.

Lajmin e kishte konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim”, tregonte ai për AP.

Çka pranoi Kosova në Bratislavë?

Më 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, qeveria kishte pranuar planin e de-eskalimit të situatës në Veri, që ishte prezantuar që një kohë nga BE-ja dhe që mbështetej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Kosova – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Të ngjashme