Lajme
KFOR-i publikon pamjet nga stërvitjet në Liqenin e Ujmanit: Fokusi ynë është ofrimi i një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë
Demokracia
15:41 | 02 Janar 2024

Share:

Më 30 dhjetor, ushtarët italianë të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje specifike që ka zgjatur katër orë në Liqenin e Ujmanit në Veri, të martën ky mision ka publikuar disa pamje nga stërvitjet në këtë liqen.

Nga KFOR-i është thënë se kjo po bëhet për “të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

“Italiani Lagunari, pjesë e Batalionit Rezervë Operacional të dislokuar në Veri të Kosovës si pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kreu me sukses një trajnim specifik më 30 dhjetor”.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.

Më 29 dhjetor, misioni i KFOR-it në Kosovë, kishte bërë të ditur se ushtarët italianë të caktuar në kuadër të këtij misioni do të kryejnë trajnimin vjetor amfib në Liqenin e Ujmanit në komunën e Zubin-Potokut më 30 dhjetor.

Sipas njoftimit, KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, më 4 shtator, misioni i KFOR-it, kishte bërë të ditur se do të zhvilloj stërvitje rutinore ushtarake në afër të Sharrit dhe pranë Manastirit të Deçanit.

Manastiri i Deçanit, përmes një komunikate për media kishte sqaruar se stërvitjet do të kryhen nga Komanda Rajonale shumëkombëshe Perëndimore.

Nga KFOR-i, ishte thënë se stërvitjet po kryhen për të ofruar përgjigje në kohë dhe të sigurt “sa herë që kërkohet”.

Edhe më 4 deri më 6 korrik, KFOR-i kishte kryer në tetë komuna stërvitje rutinë ushtarake në pjesën perëndimore.

Sipas njoftimit për media, stërvitjet ishin nga kontingjenti shumëkombësh, me qëllim të përmirësimit të gatishmërisë dhe përgatitjes së njësive.

Po ashtu theksohej se KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile dhe të kufizojë çdo ndërprerje të aktiviteteve komerciale.

“Ky mision shtoi se është i përqendruar në zbatimin e mandantit të tij, për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes”.

KFOR-i është reaguesi i tretë për çështjet e sigurisë, pasi në rend të parë është Policia e Kosovës, pasur nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX).

Përveç këtyre detyrave, KFOR-i zhvillon edhe iniciativa për ngritjen e kapaciteteve me organizatat e sigurisë në Kosovë, siç është transferimi gradual i sigurisë për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore te Policia e Kosovës.

Ndryshe, KFOR-i u vendos në Kosovë më 12 qershor 1999, pas një fushate ajrore 78-ditore.

Kjo fushatë ajrore u nis nga Aleanca në mars 1999 për të ndalur dhe kthyer katastrofën humanitare që po shpalosej atëherë.

Të ngjashme