Lajme
Këshilli i Prindërve jep detaje për blerjen e teksteve| Dragusha: Çmimet nuk ishin të vendosura në libra
Demokracia
13:23 | 29 Gusht 2023

Share:

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Besnik Dragusha sot ka blerë tekstet shkollore për vajzën e tij ku tregon se çmimet e librave nuk ishin të vendosura.

Në një prononcim për Gazeta Blic, Dragusha thotë se çmimet e librave nuk ishin të vendosura dhe që sot ka blerë tekstet shkollore për vajzën e tij, ku pa anglishten dhe pa edukatën fizike çmimi ishte 51.45€.

“Çmimet nuk ishin të vendosura në libra, gjë që do të duhej të ishte!?.Sot, bleva librat për klasën e IV për vajzën time, dhe cmini i tyre pa anglishten dhe pa edukatën fizike ishte 51.45€”, tha ai.

I njëjti bëri të ditur se, sot nuk ka pasur ankesa nga prindërit për çështjen e aplikimit, ndërsa kërkesat/ankesat e prindërve të cilat i ka pranuar gjatë vikendit, i ka adresuar në ministri përmes telefonit.

“Sot nuk kam pasur ankesa nga prindërit për çështje të aplikimit, ndërsa kërkesat/ankesat e prindërve të cilat i kam pranuar gjatë vikendit, i kam adresuar në ministri përmes telefonit, dhe kisha përgjigje, si në vijim:”, theksoi Dragusha.

“1. Ka raste kur X shkolla (rast i Prishtinës – Afrim Gashi) mungon në listë gjatë aplikimit? Në këto raste pasi ta zgjedhni komunën tuaj, tek lista e shkollës e zgjedhni opsionin ‘tjetër’.
2. Fëmijët që regjistrohen me vonesë, si mund të pajisen me libra? Aplikimi do të vazhdoj deri në fund të shtatorit për këto raste?
3. Si të aplikojnë fëmijët nën 6 vjeç? Aplikimi duhet të bëhet përmes emailit [email protected]
4. Si të aplikojnë fëmijët që janë në përkujdesje të veçant (nevoja të veçanta) kur mosha e tyre nuk përputhet me klasën? Këto raste do të verifikohen, dhe aplikimi mund të bëhet sikurse në rastet e fëmijëve nën 6 veçar.”

“Të gjitha këto shqetësime dhe informata kthyese janë realizuar përmes telefonit!”, deklaroi Kryetari i Këshillit të Prindërve Dragusha për Gazeta Blic.

Ndryshe, vendimi i Ministrisë së Arsimit për mbulimin e kostos së teksteve për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën ka shkaktuar reagime të shumta. Në opinionin publik janë ngritur disa çështje, përfshirë edhe ajo e mënyrës se si do të realizohet mbulimi i kostos së teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit, e veçanërisht transferimi i fondeve në llogaritë bankare të prindërve që mund të jetë problematik për shumë arsye.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI), Arbërie Nagavci, njoftoi se do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, për blerjen e teksteve shkollore, ndërsa për t’i marrë ato prindërit duhet të aplikojnë online nga 25 gushti.

Duke iu drejtuar prindërve të nxënësve fillorë, përmes një videoje në llogarinë e saj në Facebook, Nagavci tha se “mjetet do të dalin në xhirollogaritë tuaja që nga fillimi i javës së ardhshme.”

Ndërkohë, për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore nga viti i kaluar, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore, njoftoi ajo.

Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.

Por, Nagavci njoftoi javën e kaluar se ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Për rrjedhojë, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.

Çmimet e teksteve shkollare në disa librari në Prishtinë për nxënësit e klasës së parë deri në të pestën, arrijnë deri në 60 euro, ndërsa për ata në klasën e gjashtë deri në të nëntën, deri në 80 euro.

Prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të Qeverisë, E-Kosova, për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.

Ky vendim i ministres Nagavci është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka kërkuar dorëheqjen e saj, si dhe nga vetë Këshilli i Prindërve i Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kërkoi dorëheqjen e Nagavcit shkaku i asaj që e ka cilësuar si “keqmenaxhim të vitit shkollor”, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kërkoi edhe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Kosova nuk e meriton një ministre që ka dështuar në çdo nivel të menaxhojë me arsimin dhe përfundimisht është dorëzuar duke ia kaluar përgjegjësinë prindërve”, tha Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku, gjatë një konference për media më 22 gusht.

 

Të ngjashme