Lajme
Kërcënon Jevtiq: Edhe serbët në jug të Mitrovicës të largohen nga institucionet, nëse Albin Kurti nuk ndryshon qëndrim
Demokracia
08:51 | 09 Nëntor 2022

Share:

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq u ka bërë thirrje edhe serbëve të jugut që të largohen nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk ka ndryshim të qëndrimit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Jevtiq, gjendja aktuale në Kosovë është më e keqe në krahasim me periudhën kur serbët shpallën daljen e tyre nga institucionet e Kosovës dhe e gjithë kjo thotë ai, është rezultat i politikës së papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës.

Jevtic shtoi se nëse nuk ka ndryshim të qëndrimit, edhe serbët në jug të Ibrit duhet të largohen nga institucionet e Prishtinës.

“Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i kolegëve të mi. Unë personalisht e kam njoftuar me shkrim edhe kryetarin e Listës Serbe, Rakiq, se besoj se përfaqësuesit politikë të serbëve, që serbët në përgjithësi në jug të Ibrit duhet të largohen nga institucionet dhe kjo është një pyetje që është ende aktuale dhe e hapur. Nëse nuk ndryshon situata, nëse nuk ndryshon kursi dhe qëndrimi i Prishtinës zyrtare dhe nuk ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve, jam pothuajse i sigurt se të njëjtin vendim do ta marrin edhe serbët në jug të Ibrit”, thotë Jevtiq për Euronews Serbia.

Ai shprehet se dy kushtet për t’u rikthyer në institucione janë formimi i Asociacionit dhe tërheqja e vendimit për targat.

“Përgjigja në pyetjen se a do të ktheheshin hipotetikisht serbët në veri të Kosovës dhe në institucione, jepet në momentin kur ndryshohet vendimi dhe shtyhet ai vendim për riregjistrimin e veturave dhe kur fillon formimi i Asociacionit”, thotë Jevtiq.

Të ngjashme