Lajme
“Katana Serbia”, shënimi skandaloz në etiketat e armëve të blera për Ushtrinë e Kosovës
Demokracia
15:01 | 25 Prill 2022

Share:

Ushtria e Kosovës së fundmi ka pranuar armë të reja të sjella nga kompania “Katana”, pronë e kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi. Në etiketat e këtyre armëve, pos emrit të kompanisë është shkruar edhe “Serbia”. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe as në kompaninë në fjalë nuk pranojnë të japin më shumë detaje, duke u thirrur në “konfidencialitet”.

Modelet e fundit të armëve me të cilat është furnizuar Forca e Sigurisë së Kosovës janë blerë nga kompania “Poligoni i Shenjëtarisë Katana SH.P.K”. “Katana”, kompani e njohur e përfitimit të tenderëve nga institucionet vendore. Kjo kompani është e themeluar nga Xhafer Gashi, aktualisht kryetar i Obiliqit.

Ajo çka bie në sy në një nga kontingjentet e fundit me të cilat Ushtria e Kosovës u furnizua nga kjo kompani, janë etiketat e paketimeve të armëve. Në to, siç vërehet nga dëshmitë e siguruara nga Gazeta Insajderi, është shënuar “Katana Shooting Range- Serbia”.

 “Katana Shoting Range Serbia”

Ministria e Mbrojtjes dhe firma kontraktuese për blerje të armatimit “Katana” kanë refuzuar të shpalosin detaje lidhur me këtë çështje. Ato nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjet direkte të Gazetës Insajderi se pse kjo etiketë figuron te armët e blera nga shteti i Kosovës.

“A i ka blerë firma “Katana” te ndonjë shtet që nuk e njeh Kosovën dhe firma ka pranuar që Kosovën ta pranojë si pjesë të Serbisë, në mënyrë që t’i shiteshin armët? Apo firma ka degë në Republikën e Serbisë dhe armët janë blerë nga kjo njësi e saj në Serbi?”, ishin pyetjet direkte të cilave kanë hezituar t’u përgjigjen.

Gazeta Insajderi që nga data 11 prill 2022 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për të marrë një përgjigje për këto etiketa të armëve, sesi u pranuan ato nga FSK-ja derisa është shkruar emri i një vendi që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe konsiderohet vend armiqësor.

Kolonel Sefer Isufi në një përgjigje me shkrim ka përmendur Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe duke u thirrur në të, ai i ka thënë gazetës se “Ministria e Mbrojtjes nuk mund të ndajë informacione lidhur me kontraktimet për furnizim me sisteme të mbrojtjes nga kategoria e informacioneve të klasifikuara – niveli i kufizuar dhe sekret”.

Ani pse i janë dërguar kopje të fotografive nga etiketa e paketimeve të armëve ku është shkruar emri i një vendi armiqësor, në këtë rast i Republikës së Serbisë, Kolonel Isufi nuk ka dhënë përgjigje direkte.

“Sa i përket çështjeve të ngritura nga ana juaj, ju informojmë se Ministria e Mbrojtjes nuk ka asnjë kontratë publike apo të klasifikuar me operatorët ekonomikë të vendeve armiqësore dhe atyre që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

As kompania “Katana” nuk ka pranuar që të jap përgjigje direkte për këtë çështje.

“Së pari, më lejoni të ju informojë se projektet e furnizimit të Institucioneve Shtetërore të Sigurisë janë projekte të klasifikuara dhe qasja ndaj këtyre informatave është e kufizuar. Prandaj, për të marrë informata lidhur me projektet e tilla, ju lutem t’i drejtoheni autoritetit përkatës”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Katana” për Insajderin, por pa i komentuar fotografitë e etiketave që i janë dërguar.

“Kompania jonë asnjëherë NUK ka importuar armë, apo çfarëdo produkti për nevoja të Institucioneve Shtetërore të Sigurisë (e as për tregun civil) nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Katana”.

As Ministria e Mbrojtjes dhe as kompania “Katana” nuk kanë treguar sa ka qenë sasia e kontingjentit të armëve në etiketat e paketimeve të të cilëve figuron emri i Republikës së Serbisë, as sa kanë kushtuar ato dhe as si u lanë ato që të hynin brenda objekteve të ushtrisë me etiketa të tilla.

 Historia e tenderëve të firmës “Katana”

Kompania “Katana”, që është themeluar nga kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka një histori me tenderë me Ushtrinë e Kosovës.

Që kur Agim Çeku ishte Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në vitin 2013 kishte vendosur të blinte automjete të blinduara nga “Katana”, për një vlerë afro 1.5 milionë euro e kontrata ishte zhvilluar e negociuar. Ishin blerë tri autoblinda të tipit Cobra.

Në kohën e Çekut, ku zëvendës i tij ishte Bejtush Gashi, po ashtu dikur pjesë e kompanisë “Katana”, kjo firmë fitoi edhe një sërë tenderësh në MFSK, kryesisht të negociuar. Nga viti 2007-2011, Bejtush Gashi ishte drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë dhe Integrimeve “Katana”.

Kompania, po ashtu, është kontraktuar nga institucione të sigurisë, si Dogana e Inspektorati Policor. Pasi që kontratat e kësaj natyre jo rrallë herë janë të negociuara, në prokurimin e hapur në vitet 2018-2019 janë listuar vetëm katër kontrata në vlerë prej mbi 280 mijë euro së bashku.

Në fund të vitit të kaluar, Policia e Kosovës njoftoi se kishte planifikuar që të blejë 600 copë jelekë antiplumb të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumb të jashtëm dhe 350 antiplumb taktike për Njësi Speciale. Të gjitha këto antiplumba do të kushtonin 3 milionë e 799 mijë e 800 euro.

Në janar të këtij viti u raportua se për shkak të mos-emërimit të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ky tender ende po vazhdon nëpër procese gjyqësore administrative, duke qenë i pezulluar nga Policia e Kosovës. Në garë për të është edhe “Katana”. /Gazeta Insajderi/

Të ngjashme