Lajme
“Kapja” e RTK-së: Pushteti synon të ndërrojë drejtorin e përgjithshëm të RTK-së për të vendosur dikë të afërt me Qeverinë
Demokracia
16:58 | 17 Janar 2024

Share:

Radio Televizioni i Kosovës, që është i vetmi transmetues publik, duket të se së shpejti mund të ndërroj udhëheqjen e tij. Siç merr vesh Nacionale nga burimet e saj, pushteti i VV-së tashmë ia ka kërkuar dorëheqjen Shkumbin Ahmetxhekajt, drejtor aktual i përgjithshëm i RTK-së. Çka po ndodh në RTK?

Deri më tani nuk është folur në publik për dorëheqjen e mundshme të drejtorit të RTK-së, që u zgjodh në vitin 2020, pra gjatë pushtetit të Qeverisë Kurti. Megjithatë, duket se tashmë Ahmetxhekaj po përballet me presion për t’u larguar nga pozicioni në RTK, ku ishte zgjedhur nga Bordit i RTK-së, që drejtohej nga Besnik Boletini, ish-kryetar.

Gazeta Nacionale e ka pyetur Ahmetxhekajn në lidhje me informacionet se atij i është bërë presion për t’u larguar nga pozicioni i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së. Pra Nacionale e pyeti Ahmetxhekajn nëse Qeveria Kurti i ka kërkuar dorëheqjen atij dhe nëse ka pranuar të dorëhiqet. Megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, Ahmetxhekaj nuk ka rikthyer përgjigje në pyetjet e Nacionales.

Po ashtu, Nacionale merr vesh që drejtori i ri i RTK-së mund të jetë një person krejt jashtë RTK-së, pra që nuk është pjesë e televizionit.

Por këtë temë ka folur edhe Viola Von Cramon, raportesue e Parlamentit Evropian për Kosovën. Në një konferencë për medie, Von Cramon deklaroi se diskutimet për të zevendësuar drejtorin e ri të RTK-së janë duke vazhduar.

Tutje, deputetja evropiane vlerësoi se në këtë pozicion synohet të vendoset një drejtor “që ndoshta më shumë e mban anën e qeverisë”.

“Sa i përket lirisë së medies, kemi biseduar dhe kemi takuar shumë gazetarët, kemi biseduar gjerë e gjatë. Shumë prej tyre kanë thënë se kanë mjaft pengesa në transparencë, dhe akses në informacion. Kërkojmë që autoritetet publike të jenë më shumë transparente dhe të shkëmbejnë informacione për gazetarët.

Diskutimet që po shkojnë për të zëvendësuar drejtorin e ri dhe për të vendosur një drejtor që është ndoshta më shumë e mban anën e qeverisë, kjo nuk është e mirë, dhe duhet të jetë një transmetues publik i paanshëm.” – deklaroi ajo.

Ndërsa Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medies, në një status shkroi për atmosferën shumë armiqësore në mbledhjet e Bordit të RTK-së, të cilën mbledhje ajo e kishte monitoruar. Ajo kishte shkruar se i kishte bërë përshtypje “qasja negative” në mbledhjen e bordit.

“Të gjithë të interesuarit do t’i mbaj të informuar, si gjithmonë, mesq sa kam mundësi kohore për monitorim. Mirëpo, sonte më boni përshtypje qasja negative. Në filim të mandatit të këtij bordi, atmosfera në mbledhje ka qenë pozitive dhe bashkëpunuese. Tash atmosfera qenka kthy në atmosferë shumë armiqësore. Shpresoj që kjo atmosferë ka mbizotëru vetëm sonte dhe që ishte rastësi. Në takim sonte u diskutu, ndër të tjera, buxheti. Çdo person duhet me e pa se në çfarë krize financiare është RTK-ja për shkak se qeveria e ka dhënë buxhetin më të vogël në dhjetët vitet e fundit (viti i tretë që ndodhë kjo).” – shkroi ajo.

Ndryshe, RTK-ja ishte kritikuar ashpër nga opozita kosovare, BE-ja dhe organizata ndërkombëtare për shkak të emërimit të Rilind Gërvallës në pozitën e drejtorit të televizionit.

Sjellim ndërmend që në Kuvend ka dështuar të votohen dy anëtarë të Bordit të RTK-së, ndërsa procedura për zgjedhjen e tyre është rikthyer në pikën zero.

Të ngjashme