Lajme
Kapiteni Tom Moore vdes nga koronavirusi
Demokracia
19:15 | 02 Shkurt 2021

Share:

Veterani 100 vjeçar, që ia kishte dalë të grumbullojë 33 milionë Pound (37 milionë Euro) për NHS (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Britani të Madhe) ishte shtrirë në spital në Bedford, të dielën, pasi kishte nevojë për ndihmë për frymëmarrjen.

E bija e tij, Hannah Ingram-Moore, pat njoftuar se ai ka qenë duke u trajtuar që disa javë për pneumoni, ndërsa javën e fundit ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.

Tom Moore, veteran i luftës, kishte fituar zemrat e njerëzve në tërë botën pasi pranverën e kaluar kishte premtuar t’i bëjë 100 xhiro në oborrin e shtëpisë së tij para se t’i mbushte 100 vjet, me kusht që të tjerët të kontribuonin para për NHS-në. Kapiteni Moore, si quhej me simpati, shpresonte t’i grumbullonte 1000 Paund, por i grumbulloi gati 33 milionë.

Në korrik të vitit të kaluar, Mbretëresha Elizabeth e nderoi me titullin “Kalorës” dhe u bë Sir Tom Moore.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Moore “ka qenë jo vetëm inspirim kombëtar, por edhe fener shprese për botën”.

Vdekja e tij ka nxitur valë simpatish e ngushëllimesh nga të gjitha anët./Demokracia

Të ngjashme