Lajme
Ka mësim, s’ka mësim | SBASHK e MASHTI pa marrëveshje për zëvendësimin e orëve të humbura
Demokracia
13:53 | 13 Tetor 2022

Share:

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) sërisht nuk kanë arritur marrëveshje për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë një konference për media ka njoftuar se këtë të shtunë nuk do të mbahet mësim. Menjëherë pas konferencës së SBASHK, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka dal me një njoftim ku është bërë e ditur se të shtunën do të mbahet mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë punë për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat.

Në anën tjetër, gjatë një konference për media Jasharaj tha se Nagvci ka marrë vendim të njëanshëm, derisa shtoi se orët e humbura kompensohen vetëm me marrëveshje të veçantë.

“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë duhet të theksoj se ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci, e cila nuk respektoi kontratën kolektive të arsimit që është nënshkruar nga MASHTI dhe SBASHK-u më 22 janar 2021. Neni 34, pika 8 e thotë qartazi, orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen veç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë. Nagavci solli vendim të njëanshëm, SBASHK-u është i oblioguar ta respektojë kontratën kolektive dhe e themi publikisht këtë të shtunë nuk do të ketë mësim në emër të kompensimit të orëve të humbura në grevë”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj tha se presin nga MASHTI që t’i ftojë në takim.

Ndërsa MASHTI ka kërkuar që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës

“Gjatë një muaji të grevës, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 përqind e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvendësohen. Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave. Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mosmbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz. MASHTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar. Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor. Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversaitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme