Lajme
“Ju nuk ia keni haberin”, “E ricikluat propagandën serbe” – Përplasja e ashpër e avokatit Emmerson me dëshmitarin Abrahams
Demokracia
19:01 | 06 Shtator 2023

Share:

Anëtari i Organizatës Human Right Watch, Frederich Abrahams, edhe sot ka dhënë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës. Megjithatë sot, ai është ballafaquar me një numër pyetjesh që ndërlidhen me raportet që i kishte ndërtuar sa ishte në Kosovë në kohën e luftës. Avokati Emmerson pati një përplasje të ashër me dëshmitarin ndërkombëtar.

Shumë pasaktësi ka gjetur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, në raportet që i ka ndërtuar dëshmitari i 22-të kundër krerëve të UÇK-së, Frederich Abrahams. Ky i fundit hulumtues në organizatën Human Rights Watch.

Këto pasaktësi që Emmerson i ka gjetur në disa prej raporteve, kanë shkaktuar një përplasje të ashpër në seancën e sotme. Avokati britanik e ka përballur dëshmitarin me disa gjetje lidhur me trupa të pajetë të gjetur në Gllogjan. Pas pyetjeve të avokatit Emmerson, dëshmitari e pranoi gabimin, raporton Nacionale.

“Ju keni ricikluar propagandën serbe apo jo?”, e pyeti Emmerson. “Duhej të ishte shkruar ndryshe”, u përgjigj dëshmitari.

“Këto pretendime i morët nga pala serbe?”, pyeti sërish avokati britanik. “Po”, u përgjigj ai.

“Kur thoni vrasja e shtatorit të 1998-ës, a e kuptuat se në aktakuzë nuk ka vrasje në shtator”, e pyeti sërish Emmerson. “Është formuluar keq…!”, u përgjigj dëshmitari.

“Kur po flisni për vrasjen e shtatorit…s’ka pasur fare vrasje…a ishte tërësisht e gabuar…”, insistoi Emmerson.

“Na thatë se jepni mësime për studentët. Ju duhet të bëni dallimin mes provave dhe vlerësimit forenzik. I vetmi vlerësim i saktë është se janë gjetur trupa të pajetë në Gllogjan në fund të 1998-ës….”, deklaroi avokati i Kadri Veselit.

“Fjalia duhej të ishte shkruar ndryshe, për pretendime se janë vrarë nga UÇK… Unë mund të të flas për një rast tjetër, për një pretendim”, u përgjigj dëshmitari.

“Ju nuk keni bërë hetime sa i përket pretendimeve të autoriteteve serbe?”, e pyeti sërish avokati Emmerson.

“S’kemi bërë hetime në tërësi. E kam përmendur këtë, por nuk është reflektuar në mënyrë të saktë. Ne asnjëherë nuk e kemi prezantuar rastin e Gllogjanit në Liqenin e Radoniqit”, u përgjigj dëshmitari.

“Ju nuk keni shkuar në vendngjarja apo jo?”, ishte pyetja e radhës nga Emmerson.

“Ne shkuam në vendin e krimit. U përpoqëm që të shkonim në Liqen…Në atë pikë që shkuam ne trupat ishin larguar dhe po mbaheshin në një hotel në një morg të sajuar dhe ne nuk u lejua që të shkuam në hotel”, u përgjigj Abrahams.

Përplasja vazhdoi edhe në disa raste të tjera. Emmerson e ballafaqoi dëshmitarin lidhur me rastin e vrasjes së një gruaje të quajtur Sanije Ballaj. Avokati tha se për këtë rast kishte kërkuar hetim vetë komandanti Ramush Haradinaj.

“Në paragrafin 475 thuhet sa i takon vrasjes së Sanije Ballajt dhe Istref e Nurije Krasniqit, trupi gjykues ka dalur në përfundim se ka alternativa të arsyeshme sa i takon përfshirjes së UÇK-së në krime. Pra, ata janë vrarë nga persona që nuk ishin pjesë e UÇK-së. Ky është përfundim faktik. Trupi gjykues ka konstatuar se Ramush Haradinaj ka kërkuar hetim për vrasjen e Ballajt. Pra ka pasur prova se hetime kryheshin”, deklaroi Emmerson.

“Nuk thashë që s’ka pasur hetime. Thamë që nuk jemi në dijeni”, u përgjigj dëshmitari.

“Kam dy pjesë të përgjigjes. E para ky raport shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë përqendrohet kryesisht në krimet serbe, burimet tona ishin kryesisht të fokusuara në këto pjesë. Në të njëjtën koëh menduam se ishte e rëndësishme të përmendim të raportonim edhe cenimet, shkeljet që po bënin të gjitha palët. Pjesë e kësaj është të kujtosh palëve në konflikt për detyrimet që kanë dhe të ngrinim atë që konsideronim pretendime të besueshme. Kjo është arsye pse ky raport mbështetet në burime dytësore të besueshme, të mbështetura nga atmosfera në Kosovë. Përfshirë shqetësimet lidhur me sigurinë që e bënin më të vështirë. Personat nuk ishin të gatshëm të flisnin për këto. Dua të bëj dallim mes raportimit që bëjmë ne për shpërdorimet e UÇK-së dhe kjo është relevante, abuzimet e UÇK-së, sepse kryesisht ishin nga forcat shtetërore abuzimet dhe atje kishim fokusin. Dhe më pas u bë një raport ndalimet dhe abuzimet. Jemi mbështetur në burime dytësore, dhe duhet bërë dallimi veçanërisht sa i takon raportit abuzimeve kundër serbëve dhe romëve në Kosovën e re. Konteksti është ndryshe”, deklaroi në një përgjigje pak më të gjatë Abrahams që është edhe profesor.

“E kuptoj që i respektoje ata, pavarësisht faktit që e kishin qendër në Beograd por nuk po e kontestoj këtë. E di që kanë raportuar nga të dyja anët. Qartazi përpara se të thoni se ka ndodhur diçka duhet të kesh disa burime, duhet të siguroheni që e keni verifikuar informacionin, ta mbështesni. Asnjëherë nuk mbështetesh në një informacion të vetëm. A keni takuar ndonjë nga personat që ua ka dhënë këtë informacion?”, pyeti Ben Emmerson.

“Unë personalisht? Unë e bëra vlerësimin e besueshmërisë së intervistave”, u përgjigj dëshmitari.

“Pra keni bërë vlerësimin e besueshmërisë së dikujt që ka bërë vlerësimin e ngjarjeve bazuar në dëshmitarët?”, e pyeti Emmerson.

“Saktë”, u përgjigj dëshmitari.

Emmerson e akuzoi dëshmitarin se s’ka haber për raportet që i ka bërë.

“Shohim rastin e Sanije Ballaj që thuhej se ishte vrarë në duart e UÇK-së doli se nuk ishte kështu. Prandaj po iu bëj pyetje, pse keni renditur këto raste kur nuk ia keni haberin kush janë dëshmitarët. Vetëm gjë që dini ju është se këtë detyrë e ka kryer dikush tjetër dhe iu besoni atyre?”, deklaroi Emmerson.

Avokati britanik pati përplasje edhe me gjyqtarin Charles Smith.

“Ju keni marrë vendim lidhur me këtë provë dhe pesha e besueshmëria do të vlerësohet nga trupi gjykues në fund. Po të më kufizoni si e marrë në pyetje dëshmitarin për besueshmërinë dhe peshën nuk është mënyra e duhur”, tha avokati britanik.

Ben Emmerson: Ju po angazhoheni, po i bëni jehonë gjetjeve të një organizate tjetër?

Avokati pati një propozim, që dukej ironik.

“Në një gjykim të drejtë po. Ju thoni që Fondi për të Drejtën Humanitare propozon gjykime të drejta. Ju po thoni që personi që duhet të kishte ardhur për të dëshmuar duhet të ishte Natasha Kandiq apo dikush nga Qendra jo ti?”, tha Emmerson.

“Unë nuk po them se është personi i duhur apo gabuar. Edhe unë kam diçka për të dhënë, por nëse persona të tjerë mund të thirren për të dhënë dëshmi”, ia ktheu dëshmitari.

Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Të ngjashme