Lajme
“Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim” | Para një viti, Kurti i ftonte shqiptarët e Luginës të regjistroheshin, pas një viti i dështon regjistrimi i popullsisë në Kosovë
Demokracia
17:02 | 22 Nëntor 2023

Share:

Në tetorin e vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me shumë entuziazëm iu bënte thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i përgjigjeshin regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Serbi.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, sipas Kurtit, duhet të përfshiheshin në regjistrim, i cili ishte zhvilluar nga 1 deri më 31 tetor 2022, në mënyrë që ta dëshmonin që janë aty, shkruan Demokracia.com.

Kurti e kishte përçuar këtë mesazh me anë të videos dhe ende është në rrjetin e tij social në Facebook:

“Prandaj, regjistrimi i cili fillon sot e përfundon më 31 tetor, për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim”, shprehej Kurti përmes videomesazhit të publikuar më 1 tetor 2022.

“T’i përgjigjeni pasivizimit duke regjistruar çdo shqiptar. Edhe ata që gjenden me banim të përkohshëm në diasporë dhe Kosovë. Të dëshmoni me vendosmëri që jeni aty”, vazhdonte më tej kryeministri Kurti.

Lexo më shumë:

Kurti fton shqiptarët në Serbi t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë: Tregoni që jeni aty

 

Një vit pas kësaj thirrje, kryeministrit të Kosovës, i cili ka nën menaxhim Agjencinë e Statistikave të Kosovës, i ka dështuar regjistrimi i popullsisë, një nga projektet më të mëdha në Republikën e Kosovës.

Vendimi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, i cili do të duhej të kryhej këtë vit, është shtyrë për në muajin prill të vitit 2024 dhe është marrë në mbledhjen e kryesuar nga kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se procesi i regjistrimit, ekonomive familjare dhe banesave është ndër prioritetet e Qeverisë, por pavarësisht kësaj, ai nuk ka arritur ta tregojë edhe në realitet këtë, pasi është detyruar të marrë këtë vendim që shënon dështimin e Qeverisë së tij dhe të ASK-së që funksionon në kuadër të zyrës së tij. / Demokracia.com /

Lexo më shumë: 

Dështon Qeveria dhe ASK: Shtyhet afati për regjistrimin e popullsisë

 

Të ngjashme