OpEd
Jo armëpushim as konflikt të ngrirë| Ukraina duhet ta fitojë luftën
Demokracia
13:09 | 22 Maj 2022

Share:

Nga Nicolas Tenzer “Center for European Policy Analysis”

Prej disa javësh, në disa kryeqytete perëndimore po qarkullon një ide e rrezikshme, sipas së cilës rezultati më i mundshëm i luftës së udhëhequr nga Rusia kundër Ukrainës do të jetë një konflikt i ngrirë, dhe kjo kërkon një armëpushim, por jo tërheqje të ushtrisë pushtuese ruse nga Ukraina.

Disa shkojnë më tej, duke e bërë të qartë se e dëshirojnë këtë rezultat. Madje, një ose dy vende perëndimore duket se i frikësohen humbjes së Rusisë. Kjo retorikë shfaqet paralelisht me bisedat e mjegullta mbi kushtet, afatet kohore, apo edhe mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për të mos përmendur NATO-n.

Diskutimet mbi një armëpushim (i përmendur në kontekste të ndryshme ditët e fundit nga udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë) duken të çuditshme, duke pasur parasysh situatën në fushën e betejës.

Ndërsa duket se qyteti-port i Mariupolit në jug të Ukrainës ka rënë më në fund në duart e rusëve pas një rezistence heroike 82-ditore, forcat e armatosura të Ukrainës i kanë dëbuar  forcat ruse rrethuese nga qyteti i saj i dytë, Kharkiv, duke i dhënë fund rrethimit të artilerisë dhe madje duke arritur në kufirin ndërkombëtar. Diskutimi ushtarak është fokusuar në dështimin e deritanishëm të ofensivës së përtërirë lindore të Rusisë.

Atëherë, pse disa po përmendin armëpushimin? Diskutimi i fundit është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme dhe absurde për ta kursyer regjimin rus nga pasojat e marrëzisë së tij, pavarësisht dështimit të kësaj qasje për 22 vite, dhe pavarësisht krimeve të tij kundër njerëzimit.

Ndërkohë, dhe ç’është më e rëndësishmja, shumë pak vende po i shprehin në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë synimet e tyre në këtë luftë. Që të gjitha këto tregojnë shumë qartë se shumë evropianë nuk po arrijnë të kuptojnë se kjo është edhe lufta jonë, lufta e botës së lirë, jo vetëm ajo e Ukrainës.

Nuk ka asnjë provë të një koordinimi midis tre fuqive më të mëdha të Bashkimit Evropian javën e kaluar. Por është e habitshme që ato bënë komente të ngjashme. Ato nisën që kur presidenti Emanuel Makron deklaroi më 9 maj se Ukraina nuk do të anëtarësohej në BE edhe për disa dekada, dhe se lufta nuk duhet të përfundojë me “poshtërimin” e Rusisë.

Katër ditë më vonë, kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin, duke i bërë thirrje për një armëpushim. Ndërsa kryeministri i Italisë Mario Dragi i bëri jehonë këtij apeli pas takimit në Uashington me presidentin amerikan Xho Bajden.

Presidenti i SHBA-së nuk i mbështeti deklarata të tilla, ndërsa presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski reagoi ashpër, duke thënë se Makron po synonte të shpëtonte fytyrën e Rusisë, akuzë kjo që u hodh poshtë nga Elizeja. Në lidhje me këtë çështje ekziston një mungesë e vazhdueshme e qartësisë së mendimit.

Perëndimi e ka shpallur dëshirën e tij për të garantuar integritetin territorial dhe sovranitetin e plotë të Ukrainës. Ai po mbështet hapur çlirimin e plotë të Donbasit dhe Krimesë; e mbështet dimensionin e saj evropian të Urkrainës, por nga ana tjetër vazhdon që të tregojë pak entuziazëm për anëtarësimin e saj të plotë në Evropë.

Më keq akoma: disa vende po sillen sikur Rusia ka më shumë rëndësi për ta, dhe Ukraina është ende e dyta në hierarkinë e kombeve. Dhe ndërsa pohojnë dëshirën e tyre për garantimin e plotë të drejtësisë në lidhje me mizoritë e papërshkrueshme të ushtrisë ruse, disa vende vazhdojnë, siç bënë pas luftërave në Çeçeni dhe Siri, që të sigurohen që krimet kundër njerëzimit të mos bëhen pengesë për një ri-angazhim të ardhshëm me Rusinë.

Pas fjalëve të bukura, të lind përshtypja se shqetësimi kryesor i këtyre vendeve nuk është sigurimi i fitores së plotë të Ukrainës, por e ashtuquajtura doktrinë e ekuilibrit. Unë druhem se kjo lloj qasjeje ka dominuar midis disa qarqeve udhëheqëse të Evropës Perëndimore që nga fillimi i luftës në 2014.

Bota e lirë duhet të deklarojë pa mëdyshje 3 parime të qarta, pasojat e të cilave shkojnë përtej kufijve të Ukrainës. Parimi i parë: ne duhet të bëjmë gjithçka për të siguruar një fitore të plotë dhe të shpejtë të Ukrainës. Një konflikt i ngrirë do të kishte pasoja të rënda, duke filluar që nga një rikrijimi i situatës së papranueshme të para 24 shkurtit.

Por tani këto pasoja do të ishin të trefishta. Çdo ditë shtesë e luftës ka një kosto të tmerrshme për sa i përket viktimave në Ukrainë. Por një armëpushim nuk do t’i jepte fund atyre. Ky vend ka të ngjarë të vazhdojë të pësoja shumë viktima në ushtarë dhe civilë si pasojë e shkeljeve të armëpushimit nga rusët, ashtu siç ka ndodhur pas vitit 2014.

Po ashtu, mos e harroni realitetin e asaj që po ndodh në zonat e kontrolluara nga forcat ruse: atentate, zhdukje, tortura, përdhunime, represione arbitrare etj. Pranimi i të ashtuquajturave “zona të ngrira”, që janë në fakt nën kontrollin rus, do të nënkuptonte mbylljen e syve ndaj këtyre mizorive.

Që përpara sulmit të ri rus, unë u kujtoja vazhdimisht se statuskuoja mbizotëruese ishte e papranueshme. Dhe ajo do të ishte edhe më pak e pranueshme më pas, duke pasur parasysh krimet e shumta kundër njerëzimit dhe krimeve e luftës, dhe shkalla e humbjeve të Ukrainës, me ndoshta dhjetëra mijëra të vdekur.

Po ashtu, pranimi i një konflikti të ngrirë do t’i ofronte Vladimir Putin një formë kënaqësie. Është e vërtetë që ai nuk ka mundur ta pushtojë të gjithë Ukrainën, madje as të gjithë rajonin e Donbasit dhe Odesës, siç kishte shpresuar. Por ruajtja e përfitimeve territoriale aktuale, mund t’i përshtatet shumë mirë.

Pasi kjo do të nënkuptonte një destabilitet të madh në zemër të Evropës. Ukraina do të mbetej de fakto një shtet i privuar nga sovraniteti i saj i plotë; dhe ndoshta nuk do të ishte në gjendje të anëtarësohej lehtësisht në BE dhe as në NATO, përcjell CNA.

Në fund do të pengohej zhvillimi i saj ekonomik, dhe problemet e rënda sociale që do të shkaktonte kjo gjendje mund të ktheheshin kundër qeverisë qendrore në Kiev. Për më tepër, një konflikt i ngrirë do të shihej si një disfatë jo vetëm për Ukrainën, por edhe për botën e lirë.

Ai do të tregonte se një vend i sulmuar nga një fuqi kriminale, nuk ka mbështetjen e plotë të Perëndimit, dhe se Putin ka ende kapacitetin për të shkaktuar dëme të mëdha. Në një farë mënyre, ne do të ktheheshim në një skenar të stilit sirian: Putin nuk do të kontrollonte të gjithë Ukrainën, ashtu si Bashar Al-Assad nuk e kontrollon pjesën më të madhe të Sirisë, por ai do të ishte në gjendje të mburrej me një reagim shumë të dobët nga Perëndimi ndaj veprimeve të tij kriminale.

Parimi i dytë: perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në BE duhet të jetë e shpejtë, dhe e shkëputur nga ajo e vendeve të tjera kandidate. Ne nuk mund ta vendosim sot Ukrainën në të njëjtin nivel me Gjeorgjinë, qeveria e së cilës duket se ka zgjedhur rrugën e kundërt, apo Serbinë, e cila sot duhet të tregojë më qartë se cila është zgjedhja e saj gjeostrategjike, apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që janë në fakt më pak të përgatitura sesa Ukraina.

Nga vendet kandidate, vetëm Moldavia, me qeverinë e saj pro-evropiane, mund të ketë të njëjtën aftësi, edhe nëse është shumë më e vogël. Ukraina është vendi më i avancuar për sa i përket kapacitetit integrues, dhe rindërtimi duhet t’i japë asaj edhe më shumë avantazhe dhe të forcojë kontributin e saj pozitiv në zhvillimin ekonomik evropian.

Parimi i tretë: Fitorja e Ukrainës duhet të jetë një fillim, nga i cili duhet të përfitojmë të gjithë në Perëndim. Ajo do të shënonte një pikë kthese radikale. Për herë të parë në 22 vjet, regjimi rus do të kishte humbur një nga luftërat e tij, që mund t`i sillte edhe humbje të tjera.

Prestigji i saj, dhe për rrjedhojë edhe ndikimi i saj në vendet ku ka krijuar një bazë, në Bjellorusi, Ballkanin Perëndimor, Afrikë, Hungari, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine, do të dëmtohej rëndë. Disa qeveri që menduan se ishte një ide e mirë të vihej bast mbi Putinin, mund të nisin të shohin interesat e tyre.

Disa do të kuptonin se është më mirë të mbështeten fituesit e sotëm, dhe jo ata të djeshëm. Tek vetë Rusia një fitore vendimtare për Ukrainën do të kishte pasoja të menjëhershme, veçanërisht afatmesme. Ajo do të ndihmonte në delegjitimimin e regjimit aktual, fillimisht në qarqet ekonomike dhe në aparatin diplomatik e të sigurisë, dhe më pas në të gjithë vendin, pasi informacioni të nisë të përhapet përtej murit të propagandës.

Gjithnjë e më shumë rusë do ta kuptonin se është kundër-produktive të mbështetet revizionizmi i Putinit. Ndoshta ata mund të kuptojnë gjithashtu se investimi tek raketat dhe rrjete propagandistike të përdorura për të tjetërsuar pjesë të mëdha të botës, nuk kompensohet nga fitimet e imagjinuara në prestigj dhe status.

Koha ka shumë rëndësi: ne duhet ta fitojmë luftën jo në 3 apo 1 vit, por brenda disa muajsh. Çdo ditë që kalon do të thotë më shumë krime dhe viktima, dhe përforcim i grupimit të atyre që kërkojnë paqe me Putinin.

Shënim:Nicolas Tenzer, profesor në Universitetin “Sciences Po” në Paris. Ai është autor i 22 librave dhe tre raporteve zyrtare për qeverinë franceze.

Të ngjashme