Lajme
Jevtiq: Asociacioni është çështje jetike për serbët në Kosovë
Demokracia
16:37 | 01 Mars 2023

Share:

Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha sot se serbët nga Kosova e dinë shumë mirë se me çfarë sfidash është përballur dhe po përballet presidenti serb Aleksandar Vuçiq në procesin e dialogut në Bruksel.

Jevtiq shtoi se, në rrethanat e krijuara, Vuçiq arriti të luftojë për atë që është më e mira për momentin, e cila, sipas Jevtiqit, është ruajtja e paqes, sigurimi i një shkalle të lartë autonomie përmes Asociacionit të Komunave Serbe.

“Nuk kishim dyshim se Vuçiq do të luftonte për interesat e popullit serb që jeton në Kosovë në mënyrën më të mirë të mundshme. Për këtë arsye Vuçiq ka mbështetjen më të madhe të mundshme të popullit serb në Kosovë, por edhe më gjerë ”, tha Jevtiq, përcjellë GazetaBlic.

Ai tha se kushdo që e kundërshton atë për të cilën foli presidenti Vuçiq, është në kundërshtim me interesat serbe.

“Mund të kemi dëshira të ndryshme, por duhet të kuptojmë rrethanat. Ajo që po bën opozita në Beograd dhe të gjithë ata që shpallën se do të ketë kapitullim në Bruksel, është katastrofike për interesat tona… Dhe tani, kur asgjë nuk është nënshkruar, ata kanë arsyetime të ndryshme dhe vazhdojnë të dëmtojnë interesat e Serbisë. Çfarëdo që të ndodhë, ata gjithmonë do ta sulmojnë Vuçiqin, sepse ai është objektivi i tyre i vetëm. Kjo është katastrofike”, tha Jevtiq.

Ai theksoi se populli serb në Kosovë e di se çfarë është realiteti dhe se njerëzit e dinë se Asociacioni do t’u sigurojë atyre një jetë më të mirë në të ardhmen, prandaj është e rëndësishme që të fillohet procesi i formimit të tij.

Jevtiq tha se është në interesin e të gjithëve, për të cilën insiston presidenti Vuçiq, të sigurohet qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave.

“Gjithçka është pozitive, ka edhe gjëra të vështira, por Vuçiq tha se cilat janë vijat e kuqe”, shtoi Jevtiq.

Ai theksoi se Serbia sot është ekonomikisht dhe politikisht më e fortë në marrëdhëniet ndërkombëtare se sa ishte në periudhën e qeverisë së kaluar.

“Nuk është rastësi që populli serb në Kosovë i beson më së shumti Vuçiqit, sepse ai e tregoi këtë përmes dialogut dhe marrëveshjes së mëparshme në Bruksel, të cilën të gjithë e sulmuan dhe ishte i vetmi që pati guximin të vinte në Mitrovicë dhe të thoshte çfarë ndodhi, të gjithë po bëjnë thirrje për atë marrëveshje, sepse shihet se kemi pasur paqe dhe stabilitet. Dhe tani, të gjithë ata që sulmojnë Vuçiqin, dhe kur të formohet Asociacioni, do të shohin se kanë gabuar”, është i bindur Jevtiq.

Ai tha se nëse dikush dëshiron të vazhdojë dialogun në mënyrë konstruktive, me siguri se ajo që është rënë dakord do të zbatohet, atëherë duhet të zbatohet gjithçka që është rënë dakord më parë, që nënkupton Asociacionin dhe 22 parimet për formimin e tij.

“Ata që thonë se diçka nuk është në përputhje me Kushtetutën, duhet ta dinë se askush nuk shkon në Bruksel për të rënë dakord për diçka që është në ligjet ekzistuese, por për të rënë dakord për atë që do të sigurojë sigurinë dhe jetën e serbëve”, tha Jevtiq.

Ai gjithashtu theksoi se inkurajon qëndrimin zyrtar të Uashingtonit, i cili po insiston për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më parë dhe po përsërit se Asociacioni është një çështje jetike për serbët në Kosovë.

“Kur shihni se çfarë do t’i ofrojë popullit serb, pa rrezikuar interesat e të tjerëve, është e qartë se Asociacioni do të mundësojë stabilitet më të madh përmes shëndetësisë, arsimit, financimit, zhvillimit të komuniteteve tona, përdorimit të burimeve që kemi në komunat me shumicë serbe. Tani jemi përballë sulmeve dhe represioneve, sepse nuk kemi mekanizma të mjaftueshëm mbrojtës. E shihni se çfarë po ndodh në lidhje me shpronësimin, çfarë procedurash gjyqësore po zhvillohen, dhe rasti i Ivan Todosijeviqit… Të gjitha këto duhet të zgjidhet përmes një autonomie më të gjerë, e cila duhet të merret përmes Asociacionit”, tha Jevtiq.

Ai shprehet i bindur se Uashingtoni ka më së shumti mundësi që të ndikojë tek përfaqësuesit shqiptarë që të zbatojnë disa gjëra, sepse, thotë ai, ende është skeptik për Asociacionin, gjegjësisht nuk është i sigurt se Kurti përfundimisht do ta themelojë atë.

“Do të doja që ai të më mohonte. Siç tha Escobar, ka shumë punë përpara. Kohët e fundit kam qëndruar në Uashington, kam vënë re tone të ndryshme, kam parë që qëndrimi ndaj Serbisë është ndryshe. Kjo është më së shumti meritë e presidentit Vuçiq, i cili arriti të fitojë besimin përmes politikës së mençur dhe mbi të gjitha marrëdhënieve të ndershme. Tani qëndrimi i SHBA-së ndaj kësaj çështjeje është tjetër. A duhet të jemi të sigurt se kështu do të mbetet – nuk duhet harruar qëndrimi i SHBA-së ndaj çështjes së Kosovës. Ajo që është aktuale është se marrëdhënia ka ndryshuar për shkak të veprimeve të Kurtit, i cili është treguar si dikush që nuk është i gatshëm t’i qaset këtij procesi në mënyrë konstruktive”, tha Jevtiq.

Të ngjashme