Lajme
Jens Stoltenbergut pritet që nesër t’i vazhdohet mandati, edhe një vit do të jetë në krye të NATO-s?
Demokracia
20:45 | 03 Korrik 2023

Share:

Pritet që anëtarët e NATO-s të bien dakord nesër për vazhdimin e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg edhe për një vit, konfirmuan sot katër diplomatë, raporton Reuters.

Ka pasur shumë sinjale që tregojnë për një vendim të tillë në javët e fundit, por tani ambasadorët e NATO-s pritet të miratojnë zyrtarisht zgjatjen e mandatit të shefit të aleancës gjatë një takimi të martën, thanë diplomatët, duke folur në kushte anonimiteti.

Stoltenberg e ka udhëhequr aleancën e NATO-s përmes një sërë krizash që nga marrja e detyrës në vitin 2014, dhe së fundmi mblodhi anëtarët e NATO-s në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ai u përpoq të parandalonte që lufta atje të përshkallëzohej në një konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.

64-vjeçari është një ish-kryeministër norvegjez. Ai duhej të përfundonte mandatin e tij si zyrtari më i lartë civil në aleancën transatlantike të sigurisë në fund të shtatorit, por tani ka të ngjarë të qëndrojë për 12 muaj të tjerë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha në shkurt se ai nuk po kërkon një zgjatje të kontratës. Por anëtarët e NATO-s i kërkuan që ta pranonte atë pasi nuk arritën një konsensus për një pasardhës.

Në mesin e atyre që u diskutuan si kandidatë ishin Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, i cili ka thënë hapur se do ta pëlqente punën, dhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen, e cila ka këmbëngulur publikisht se nuk është kandidate për këtë punë.

Të ngjashme