Intervista
“Jemi të stërngarkuar, askush s’po e vlerëson punën tonë” – QKUK në krizë për anesteziologë
Demokracia
10:17 | 08 Shkurt 2024

Share:

Qendra Klinike Universitare, vazhdon të ketë mungesë të anesteziologëve.

Në QKUK tashmë janë vetëm 48 anesteziolog, numër ky tejet i vogël, krahasuar me nevojat që ka QKUK-ja.

Ndërkaq në të gjithë sektorin  publik shëndetësor,  janë vetëm 90 anesteziologë.

Lulzim Emini, anëtarë i Bordit drejtues i Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës në një intervistë për “Indeksonline”, thotë se anesteziologët të cilët janë të pakët në numër në QKUK,  kanë angazhime ekstreme çdo ditë  dhe se janë të stërngarkuar me punë.  Ndërsa thotë se me gjithë angazhimin dhe lodhjen ekstreme që kanë, ata nuk po vlerësohen nga askush për punën që bëjnë.

“Numri i anesteziologëve dhe në këtë periudhë kohore është më i vogël se sa janë kërkesat. Dhe në vitin 2020 ka qenë i vogël. Atëherë kemi qenë 65 anesteziolog. Kurse sot në QKUK jemi 48 anesteziolog. Edhe për 1/3 jemi zvogëlu. Nëse themi se edhe 65 anesteziolog kemi qenë pak, me 48 jemi shumë më pak. Anesteziologët janë të angazhuar me kapacitet të plotë, me orar të plotë dhe kërkesa për ta është e madhe. Këtu nuk mund të bëjmë fjalë për mundësi të një orari të butë,  ku angazhimet nuk janë aq të mëdha. Angazhimet janë ekstreme, në baza ditore, javore, mujore dhe vjetore. Sidomos nga viti 2020 e këndej”, tha ai.

Ndërsa thotë se duhet të merren masa drastike, që kjo situatë të ndryshojë.

“Do të duhej të merren masa drastike për rritje në mënyrë drastike të numrit të anesteziologëve. Nëse dëshirojmë të kemi mbas dy, tri apo pesë vite shërbime të mira optimale anesteziologjike”, tha ai.

Megjithëse pagat e mjekëve janë rritur, Emini thotë të mos jenë fare të kënaqur me pagat që marrin, duke pasur parasysh punën që bëjnë.

“Kemi parë numër të mjekëve që e lëshojnë sektorin publik. Me qenë pagat e mjaftueshme,  s’kishin me dal në sektorin privat. Dy opsione janë,  ose duhet me i lanë njerëzit me shku privat për pagë më të madhe, ose t’i duhet me i ofru më shumë,  për ta ruajtur stafin në institucione publike”, tha ai.

Ndërsa thotë se nëse kjo situatë vazhdon dhe më tej, ekziston rreziku që numri i anesteziologëve që e lëshojnë QKUK-në të rritet, pasi që ata mund t’i zgjedhin spitalet private të cilat u ofrojnë kushte më të mira.

“Do të doja që të mos ndodhte që anesteziologët por dhe mjekë të profileve tjera ta lëshojnë QKUK-në. Por për këtë nevojitet një aktivitet i atyre që bëjnë politike shndetësore e  financiare”, tha ai. .

Numër i vogël i anesteziologëve në QKUK, Emini: Jemi të stërngarkuar, askush s’po e vlerëson punën tonë

Posted by Indeks Video on Thursday, February 8, 2024

Të ngjashme