Qeveria japoneze ka nisur një konkurs mbarëkombëtar duke bërë thirrje për ide për të inkurajuar njerëzit të pinë më shumë alkool, pasi një ndryshim në qëndrimet e të rinjve rezultoi në një rënie të të ardhurave nga taksat, shkroi të mërkurën The Guardian.
Fushata “The Sake Viva” që drejtohet nga Agjencia Kombëtare e Tatimeve, u kërkon 20 deri 39-vjeçarëve të dalin me propozime për të ndihmuar në rizgjimin e popullaritetit të pijeve alkoolike, i cili ka rënë për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës gjatë pandemisë COVID-19.
Fushata bën thirrje për “produkte dhe dizajne të reja” si dhe mënyra për të promovuar pirjen në shtëpi.
Agjencia ka thënë se konsumi i alkoolit në Japoni ka rënë nga një mesatare prej 100 litrash për person në vit më 1995 në 75 litra më 2020. Rënia e shitjeve të alkoolit ka goditur buxhetin e Japonisë.
Pati një rënie veçanërisht të madhe në konsumin e birrës, me shitjet që ranë 20 për qind.
Ministria japoneze e Shëndetësisë tha se shpreson që fushata po ashtu do t’ua rikujtojë njerëzve “të pinë sasinë e duhur të alkoolit”.