Lajme
“Jam i gatshëm”, dy serbët e përmendur nga Sveçla si pjesë e grupit terrorist thonë se do t’i përgjigjen autoriteteve
Demokracia
20:49 | 24 Dhjetor 2023

Share:

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, kanë mbajtur një konferencë të gjatë për medie, ku kanë folur kryesisht për sulmin në Banjskë të Zveçanit dhe riorganizimin e grupit të Milan Radojiçiqit, njeriut që e pranoi se e udhëhoqi sulmin më 24 shtator.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla gjatë konferencës së djeshme shpaloi “hierarkinë” funksionuese të organizatës tashmë të dezignuar si terroriste në Kosovë “Mbrojtja Civile” dhe në skemën e paraqitur për media figuronte si “Koordinator” edhe një serb me emrin Dragolljub Delibasiq, si dhe një serb tjetër me emrin Zharko Mojsilloviq.

Sveçla ka prezentuar të gjeturat, se të dy këta janë të përfshirë në sulmet në veri të vendit.

Të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë?

Dragolljub Delibasiq dhe Zharko Mojsilloviq, janë deklaruar për mediat serbe, se s’kanë të bëjnë me rastin, e se janë të gatshëm të përgjigjen.

Dragolljub Delibasiq ka mohuar të jetë pjesëmarrës në këto grupe terroriste teksa ka dhënë edhe vendndodhjen e tij me deklarimin se “jam i gatshëm t’i përgjigjem thirrjes së autoriteteve kompetente”.

Unë, Dragolljub Dellibasic nga Zveçani, pas njoftimeve në media, mohoj çfarëdo pjesëmarrje në grupet që u përmendën. Unë jam në apartmentin tim në Zveçan, i gatshëm t’u përgjigjem çfarëdo thirrje nga autoritetet kompetente”, ka thënë ai, siç e citoi “RadioKiM”.

Ai mohon gjithashtu pjesëmarrjen dhe njohjen me persona që përmenden si përfaqësues të Mbrojtjes Civile. “Unë jam pensionist, i punësuar me kohë të pjesshme në zyrën e avokatisë së Dejan A. Vasiq si këshilltar administrativ”, ka thënë Delibashiq në një komunikatë të shkurtër për media.

Edhe Zhako Mojsilloviq ka dhënë një deklarim për portalin serb “KoSSeV” ku ka mohuar “tërësisht dhe fuqishëm” pjesëmarrjen e tij në sulmin terrorist në Banjskë ose anëtarësinë në organizatat e dezignuara terroriste si “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut” si dhe ka mohuar pretendimet e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dje në një konferencë për media.

Mojsilloviq ka thënë se është në banesën e tij në Mitrovicë të Veriut dhe se është i gatshëm të ftohet nga autoritetet kosovare për t’u intervistuar.

Deklarimi i tij për KoSSeV:

“Unë, Zharko Mojsiloviq nga Mitrovica e Veriut, refuzoj dhe mohoj fuqishëm çdo pjesëmarrje në grupet që u përmendën në deklaratën e djeshme për media nga Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla. Dua të theksoj se nuk kam qenë i përfshirë apo i lidhur në asnjë mënyrë me ngjarjet e ndodhura në Banjska më 24 shtator të këtij viti, momentalisht jam në shtëpinë time në Mitrovicë dhe me kënaqësi do t’i përgjigjem ftesës së autoriteteve kompetente, mohoj fuqishëm çdo pjesëmarrje në këtë ngjarje”.

“Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në dispozicion të autoriteteve, çdo ditë në vendin e punës, duke mos u fshehur në asnjë moment. Asnjëherë nuk jam ftuar nga autoritetet kompetente për të dhënë një deklaratë dhe disponueshmëria ime e plotë për publikun dhe autoritetet dëshmon për gatishmërinë time për të bashkëpunuar në çdo kohë”.

“Sulmi aktual mediatik, i cili erdhi në mënyrë brutale nga dy nga njerëzit më të fuqishëm në Kosovë, shkaktoi stres të madh tek unë dhe familja ime. Etiketimi si terrorist në të gjitha mediat ndodh në kohën kur serbët dënohen me paraburgime të gjata edhe për krime shumë më të vogla. Besoj se sulmi aktual mediatik, i ardhur në mënyrë brutale nga dy njerëzit më të fuqishëm në Kosovë, paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të mia themelore të njeriut dhe ngre shqetësime serioze për respektimin e drejtësisë dhe trajtimit të drejtë”, ka shkruar ai, shkruan Nacionale.

“Ky amater na boni kahre në sy të botës”: Mehmetaj e quan “urgjencë kombëtare” largimin e Sveçlës si minister

Dy serbë të dezignuar si terrorist nga dhe pjesëmarrës në sulmin paraushtarak të Banjskës mohuan pretendimet e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke treguar vendndodhjen dhe duke u vetëofruar për t’u marrë në pyetje nga autoritetet vendore. Ndaj kësaj ka reaguar edhe gazetari Lirim Mehmetaj, i cili u shpreh se Sveçla “na boni përallë” si dhe duke kërkuar largimin e tij si “urgjencë kombëtare”.

Çakejt nëpër male po qeshin me ne”, ka konstatuar Mehmetaj në një shkrim në Facebook teksa edhe pyeti se “qysh tash një kryeterrorist që e njofton në konferencë të jashtëzakonshme nuk e ke arrestu e ai t’u qëndru në shtëpi të vet?”. – ka shkruar ndër të tjera Mehmetaj.

Kujtojmë se për rastin e Banjskës, janë duke u zhvilluar hetimet dhe ende nuk është ngritur aktakuzë.

Të ngjashme