Lajme
Izraeli tërhiqet përballë presionit të SHBA, tjetër delegacion në Uashington
Demokracia
11:46 | 28 Mars 2024

Share:

Izraeli ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë të riplanifikojë një takim të nivelit të lartë ku do të diskutohen planet ushtarake izraelite në qytetin jugor të Gazës.

Lëvizja e Netanyahut vjen si një përpjekje për të zbutur tensionet me SHBA, pak ditë pasi Izraeli anuloi takimin e planifikuar, për shkak të mbështetjes që Uashingtoni i dha një rezolutë të këshillit të sigurimit, që kërkonte armëpushim në gaza.

“Ajo që mund të them për Izraelin është se po punojmë me ta për të caktuar një datë të përshtatshme që padyshim do të funksionojë për të dyja palët. Zyra e tij ka rënë dakord të ricaktojë atë takim që do t’i kushtohej Rafahut dhe kjo është një gjë e mirë”, u shpreh Karinejean Pierre, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Por zbutja e Izraelit në drejtim të Shteteve të Bashkuara, nuk është shoqëruar me ndalje të bombardimeve në Rripin e Gazës.

Sulmet ajrore gjatë natës, kanë shkaktuar të paktën 66 viktima në enklavën e copëtuar, e po ashtu janë raportuar bombardime edhe në kufirin libanez, ku të paktën tetë persona u vranë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara është në alarm për krizën e urisë në Rripin e Gazës.

“Nuk ka askund tjetër në botë ku kaq shumë njerëz përballen me urinë. Në qytetin e Gazës ne jemi në epiqendrën e krizës. Vetë njerëzit po kërkojnë me dëshpërim çdo ditë ndihmën që u nevojitet për të mbijetuar. Ne nuk po futemi dot mjaftueshëm në qytetin e Gazës dhe në veri të Rripit.”, hta Matthew Hollingworth, përfaqësues i Programit Botëror të Ushqimit për Palestinën.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar përafrimin e zisë së bukës, por një ofensivë tokësore izraelite në Gazën Jugore do ta bënte detyrën e tyre edhe më të vështirë.

Të ngjashme