Lajme
Isufaj: Banjska po trajtohet me seriozitet, deklaratat e Kurtit e Haxhiut ndërhyrje në punët e Prokurorisë
Demokracia
13:54 | 30 Dhjetor 2023

Share:

Rasti i sulmit terrorist të 24 shtatorit po trajtohet me seriozitetin e duhur. Për ecurinë e rastit do të vendoset pas përfundimit të hetimeve. Informacione tjera në këtë fazë s’mund të ndahen. Deklaratat e udhëheqësve shtetërorë, nuk i komentoj. I respektoj dhe bindem vetëm vendimeve të Këshillit Prokurorial. Deklaratat e Ministres Haxhiu, tendencë për të ndërhyrë në punën e KPK’së.

Blerim Isufaj vazhdon të jetë njëri nga eksponentët më në zë të jetës publike, jo veç për shkak të postit që e mban, por edhe për shkak të raporteve me politikën, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. E para nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror shteti kur i ka shkuar në zyrë emri, ndërsa Kryeministri Kurti ka thënë publikisht se Isufaj s’do të bëhet Kryeprokuror.

Nga këto pozicione, Kurti e Isufaj kanë shënuar edhe një përplasje për fundvit pasi Prokurori Special tregoi të premten në një konferencë për media se kishte dhënë pëlqimin në një fazë që Milan Radojçiqit t’i hiqet urdhërarresti, si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit politikanit në pjesën veriore të Kosovës në vitin 2018.

Kjo deklaratë dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, që po trajtohet nga Prokuroria Speciale, ka thelluar përplasjet mes  Kurtit dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Kurti do aktakuzë sa më shpejt për këtë rast, derisa ka shprehur publikisht dyshime për punën që po bën prokuroria.

“Unë jam këtu për të ndihmuar, por ata janë aty për të punuar. S’mund ta ndihmoj dikë që s’punon. Mund ta ndihmoj dikë vetëm që punon”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti para një jave, kur bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, dolën në konferencë dhe publikuan emrat dhe fotografitë e personave të identifikuar, si të përfshirë në këtë sulm.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i ka thënë Gazetës Express se nuk merret me këto deklarata, derisa i kujton Kurtit se janë institucion i pavarur.

Për hetimet lidhur me sulmin e 24 shtatorit, Isufaj thotë se rasti po trajtohet me seriozitetin e duhur.

I pari i Prokurorisë Speciale deklaron se po presin përfundimin e hetimeve për të vendosur lidhur me ecurinë e rastit. Informacione tjera thotë se s’mund të ndahen, meqë rasti është nën hetime.

“Prokuroria Speciale si institucion i pavarur për hetimin dhe ndjekjen penale të kryerësve dhe veprave penale të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale, ushtron funksionin prokurorial në mënyrë të pavarur dhe konform dispozitave ligjore në fuqi. Lidhur me pyetjet tuaja rreth rastit lidhur me sulmin terrorist të 24 Shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, ju njoftoj se është duke u trajtuar me seriozitetin e duhur dhe në momentin kur përfundojnë hetimet, vendosim për ecurinë e mëtejmë të rastit, sepse në këtë fazë të hetimeve, nuk mund të ndajë me publikun asnjë informacion rreth rastit, përfshirë këtu përgjigjet e pyetjeve të parashtruara”, deklaron Isufaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale këtë vit vazhdimisht ishte në fokusin e Kurtit.

Në një seancë të Kuvendit të Kosovës në prill të këtij viti, Kurti kishte thënë se Isufaj është kundërshtar i Qeverisë së tij. Deklarata ishte bërë pasi Prokuroria Speciale kishte urdhëruar arrestimin e Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i afërt me LVV-në.

“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, shprehej Kurti.

Si kundërshtar të Qeverisë Kurti, Isufajn e kishte etiketuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Duke iu referuar kandidaturës së Isufajt, Haxhiu kishte thënë se “Kosova nuk ka nevojë për një kryeprokuror që e ka bishtin e zënë me derë” dhe se ai “nuk ka vullnet për t’i luftuar peshqit e mëdhenj.”

Deklaratat e Haxhiut, Isufaj i ka cilësuar si tendencë për të ndërhyrë në punën e sistemit prokurorial.

“Lidhur me pyetjen tuaj rreth deklaratave të cituara të udhëheqësve shtetërorë, deklaroj se ne si institucion nuk komentojmë deklarata e askujt, i respektoj dhe bindem vetëm vendimeve të Këshillit Prokuroria të Kosovës. Shtoj vetëm se më vije keq që deklarata të tilla vijnë nga një Ministre e Drejtësisë së Kosovës, madje deklaratat e tilla i vlerësoj si tendencë për të ndërhyrë në punë e Sistemit Prokurorial të Kosovës”, ka deklaruar Isufaj për Gazetën Express.

Për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, Isufaj është përgjigjur edhe në konferencën vjetore, ku tha se nuk është punë e kryeministrit ngritja e aktakuzave.

“…nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave, është qysh e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet dhe nuk mund të na tregojë askush se kur ne duhet të ngrisim aktakuzat”, deklaroi dje Isufaj në konferencën vjetore.

Disa orë më pas Kurti iu kundërpërgjigj sërish për këtë deklaratë.  Ai tha se është për t’u  habitur fakti se edhe pse Milan Radojçiq e ka pranuar organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Bansjkë, ende nuk ka aktakuzë.

“Nuk e di a  ndani edhe ju me mua habinë. Si është e mundshme që Milan Radojçiq e pranon që ka kryer krimin dhe nuk ka aktakuzë. Unë besoj që nuk duhet as me kry Fakultetin juridik e as nuk ka nevojë me pas Bachelorin, Masterin ose Phd dhe as nuk ka nevojë me qenë prokuror e as gjykatës por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarëve të Republikës e identifikon një absurditet të tillë”, tha Kurti.

Kryeprokurori Isufaj kishte kandiduar edhe për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë për të cilën është përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Mirëpo, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka refuzuar ta dekretojë, duke thënë se ka pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes.

Osmani kishte thënë se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” idenë që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.

“Shumica e shkeljeve, që janë pjesë e vlerësimit të Presidencës janë konstatuar edhe përgjatë procedurës dhe janë bërë publike nga organizatat monitoruese të shoqërisë civile si dhe nga ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Zyra e BE-së”, kishte deklaruar Presidentja.

Por, KPK’ja e ka dërguar sërish emrin e Blerim Isufajt për dekretim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit më 6 prill 2022. Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

E pakënaqur me gjendjen në sistemin prokurorial, Qeveria e kishte përpiluar një ligj të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në qershor të vitit të kaluar ishte miratuar në Kuvend. Ky ligj parashihte ndryshimin e përbërjes së KPK-së, por ai më pas u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja e kishte hedhur poshtë ligjin, i cili, sipas Qeverisë, do t’i hapte rrugë reformave të thella në sistemin e drejtësisë.

Ligji i rrëzuar përcaktonte që gjashtë prej nëntë prokurorëve aktualë në KPK do t’iu ndërpritej mandati. Tre, të cilët do të mbeteshin aty deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidheshin me një short, siç thoshte ministrja Albulena Haxhiu. Për plotësimin e përbërjes së KPK, do të organizoheshin zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror.

Instanca më e lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë ka pasur vërejtje serioze sidomos në këtë pikë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo do të kishte pasoja edhe në rendin demokratik e sundimin e ligjit në vend.

Të ngjashme