Lajme
Ish-ministrja Bajrami: Viti 2024, vit i fundit i mandatit të Qeverisë “Kurti”
Demokracia
16:59 | 05 Nëntor 2023

Share:

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të martën projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro.

Projektligji për buxhetin do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Por, këtë ndarje vështirë te realizueshme po e sheh ish-ministrja e Financave, tani deputete e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Kjo, për shkak se siç thotë ajo kjo qeveri në tri vitet e fundit nuk ka bërë aspak planifikime të sakta.

“Buxheti i planifikuar në shumë 3.3 miliardë është vetëm planifikim i Qeverisë, e cila në tri vitet e fundit nuk ka bërë planifikime aspak të sakta, andaj mendoj se edhe ky projeksion është vështirë i realizueshëm. Ju rikujtoj se edhe në tri vitet e kaluara kjo Qeveri ka planifikuar buxhet të lart por nuk i ka realizuar; në vitin 2021 planifikimi ka qenë 2.5 miliardë por është realizuar vetëm 2.2 miliardë, në vitin 2022 planifikimi ka qenë 3.1 miliardë ndërsa realizimi vetëm 2.6 miliardë në vitin 2023 planifikimi është 3.2 miliardë dhe deri më sot janë shumë larg realizimit”, është shprehur Bajrami për Front Online.

Hykmete Bajrami: Koeficienti prej 110 euro është tallje me qytetarët, s’reflekton me shkallën e inflacionit

Në buxhetin për për vitin 2024 e që është 3.3 miliardë euro, është përfshirë edhe rritja e koeficientit të pagave për sektorin publik, e që për vitin e ardhshëm do të jetë 110 euro.

Por, nga kjo pritet të përfitojnë vetëm kabineti qeveritar.

Kështu po vlerësojnë opozita.

Ndërsa, rritjen për vetëm 5 euro më shumë në vlerë të koeficientit deputetja Bajrami po e sheh si tallje me qytetarët.

Ajo, këtë e ka lidhur me rritjen e inflacionit në vend, duke thënë se nuk e reflekton as për së afërmi.

“Koeficienti i pagave 110 Euro është tallje me qytetarë, rritje e koeficientit për vetëm 4.7% derisa inflacioni në shtator të vitit 2022 ka qenë 14.7% e në shtatorin e këtij viti 4.2%, do të thotë rritja e koeficientit prej 5 euro as për se afërmi nuk e reflekton shkallën e inflacionit në vend”, ka shtuar deputetja Bajrami.

Ish-ministrja Bajrami deklaron se buxheti i vitit 2024 është rritur vetëm për 76 milionë euro më shumë sesa ai i këtij viti.

Dhe sipas saj, me këtë rritje nuk mund të ketë rritje buxhetore në sektorët vital për vendin.

“Buxheti për vitin 2024 është paraparë të jetë 3.314 miliardë Euro, është vetëm 76 milionë Euro ose 2.3% më i madh sesa buxheti i këtij viti, i cili sipas ligjit në fuqi është 3.238 miliardë Euro. Rrjedhimisht me vetëm 76 milionë Euro, nuk mundësi që të ketë rritje buxhetore nëpër sektorët vital, e kritika jonë kryesore është të struktura buxhetore dhe ngecjet e mëdha në investime kapitale”, ka thënë ajo.

Deputetja Bajrami kritikon Qeverinë: Buxheti do të duhet orientuar në sektorët vital

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur rreth buxhetit për vitin 2024 të miratuar nga Qeveria e Kosovës e që këtë vit është 3.3 miliarë euro.

Ajo ka kritikuar Qeverinë se nuk e ka orientuar buxhetin në sektorët vital.

Bajrami beson se viti 2024 do të jetë vitit i fundit i mandatit të Qeverisë Kurti.

“Viti 2024 është edhe viti i fundit i mandatit të kësaj Qeverie, për tri vite nuk ka premtime të realizuara, të gjithëve na kujtohen premtimet e tyre andaj jo këtë vit por edhe në vitet e kaluara Qeveria e ka pas obligim që buxhetin ta përdor për të përmbushur premtimet me të cilat i ka marrë votat”, ka thënë ajo.

Ish-ministrja Bajrami ka treguar se ku do të duhej të orientohej më shumë buxheti i vitit 2024.

“Buxheti duhet të orientohet në arsim e shëndetësi, në investime kapitale të cilat krijojnë efekte multiplikuese në ekonominë e vendit, krijim të vendeve të reja të punës, natyrisht se rendi e siguria janë sektorë të cilët kërkojnë vëmendje të theksuar të qeverisë”, ka shtuar ndër të tjera deputetja Bajrami.

Të ngjashme