Lajme
Ish-agjenti i MI6: Lufta do të përfundojë nëse Putini largohet nga pushteti ose vritet nga rusët
Demokracia
23:43 | 01 Prill 2022

Share:

Ish-agjenti britanik i inteligjencës MI6, Christopher Steele, i cili drejtoi departamentin e vëzhgimit të Rusisë, beson se lufta në Ukrainë do të përfundojë vetëm kur vendet të bëjnë një marrëveshje që nuk do të përfshijë Vladimir Putinin, të cilin mund ta largojnë nga pushteti, ose kur rusët ta vrasin presidentin e tyre, transmeton Demokracia.com.

Ndërmjet viteve 2006 dhe 2009, Steele drejtoi Zyrën për Rusinë në selinë e MI6 në Londër.

Ai konsiderohet një ekspert i madh për Rusinë, dhe ai gjithashtu udhëhoqi rastin e Alexander Litvinenko (ish agjenti rus i vrarë nga Putini në Britani të Madhe).

Steele arriti në përfundimin se qeveria ruse ishte përgjegjëse për helmimin dhe vdekjen e dezertorit rus, ish-anëtar i FSB-së, por Kremlini e mohoi këtë, shkruan The Telegraph.

Që kur Putin filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona ukrainas u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre.

Steele tha në një intervistë për Sky News dje se bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës nuk kanë gjasa të japin ndonjë rezultat konkret për sa kohë që Putini është në pushtet.

“Unë nuk mendoj se mund t’i besojmë Putinit gjatë ndonjë marrëveshjeje paqeje. Në fund të fundit, presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka quajtur atë kriminel lufte,” tha Steele.

Kur u pyet nga gazetarët se si e parashikonte fundin e luftës, ai tha se mund të arrihet me një marrëveshje – e cila nuk përfshin Putinin, sipas Newsweek, përcjellë Demokracia.com.

“Unë mendoj se do të përfundojë me një lloj marrëveshjeje, por nuk mendoj se do të ndodhë kaq shpejt dhe ndoshta nuk do të përfshijë Vladimir Putin,” tha Steele.

“Unë mendoj se liderët botërorë mund ta largojnë atë ose ai mund të vritet nga njerëzit e tij,” shtoi ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme