ShowBiz
Irani e dënon me vdekje reperin e famshëm, Toomaj Salehi
Demokracia
08:39 | 25 Prill 2024

Share:

Një gjykatë revolucionare iraniane e ka dënuar me vdekje reperin e njohur iranian, Toomaj Salehi, nën akuza të ndërlidhura me trazirat e periudhës 2022 – 23, i tha të mërkurën gazetës iraniane “Sharq” avokati i tij.

Përmes këngëve të tij, Salehi i përkrahu protestat në Iran më 2022, që ishin nxitur nga vdekja në ndalim policor e 22-vjeçares Mahsa Amini, grua kurde iraniane e arrestuar nën dyshimin për vendosjen e një shamie “jo të duhur”, raporton agjencia “Reuters”.

Salehi ishte arrestuar fillimisht në tetor të vitit 2022 pas dhënies së deklaratave publike në përkrahje të protestave gjithëkombëtare.

Vitin e kaluar, ai ishte dënuar me gjashtë vjet e tre muaj burgim, por e kishte shmangur dënimin me vdekje falë një vendimi të Gjykatës Supreme.

“Dega e Parë e Gjykatës Revolucionare të Isfahanit në një lëvizje të pashembullt nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës Supreme… dhe e dënoi Salehin me ndëshkimin më të ashpër” – tha avokati i tij, Amir Raisan.

Sistemi gjyqësor i Iranit nuk e ka komentuar ende dënimin. Salehi ka 20 ditë afat për ta apeluar vendimin.

“Ne përfundimisht do ta apelojmë këtë vendim” – tha avokati i tij.

Të ngjashme