Auto&Tech
Inteligjenca artificiale dhe fundi i të vërtetës fotografike
Demokracia
08:36 | 13 Nëntor 2023

Share:

Rreziku sipas një raporti të fundi nga Royal Society, akademia e shkencave Britanike, është se adoptimi i këtyre sistemeve nga mediat me reputacion do të interpretohej si krijimi i karteleve të njohurive duke shpallur pretendimet mbi të vërtetën – një zhvillim i cili do të dështonte në mjedisin e sotëm politik të polarizuar.

Menjëherë pasi dy anëtare të ekipit Indian të mundjes u arrestuan në Nju Delhi ndërsa protestonin për ngacmim seksual nga presidenti i federatës së mundjes, dy foto thuajse identike të tyre filluan të qarkullonin online.

Të dyja tregonin dy femra brenda një fugoni policie së bashku me disa oficerë dhe anëtarë të tjerë të ekipit të tyre. Në njërën prej fotove shfaqeshin të zymtë. Në foton tjetër dukeshin të gëzuara a thua se arrestimi nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një fasadë.

Për disa orë, fotoja e sportisteve qarkulloi në median sociale e madje u ri-postua nga mbështetësit e presidentit të federatës edhe pse disa gazetarë, kontrollues faktesh dhe dy gratë thanë se ishte e rremë.

U desh një analizë e thellë që krahasonte buzëqeshjet me fotot e vjetra të tyre që provoi se nuk ishin të vërteta. Ishin shtuar më pas dhe me shumë gjasa përmes aplikacioneve falas siç është FaceApp dhe që përdor inteligjencën artificiale për të manipuluar imazhet.

Histori të tilla ngrenë alarmin për një të ardhme ku asgjë nuk mund të besohet në pamje të parë. Imazhet e gjeneruara nga AI, videot dhe audiot po përdoren në fushata zgjedhore. Këtu përfshihen foto të rreme të ish-presidentit Amerikan Donald Trump në të cilën përqafonte dhe puthte këshilltarin e lartë për COVI Anthony Fauci; një video në Poloni e cila shkrinte pjesë nga kryeministri i djathtë Mateusz Morawiecki me klipe të gjeneruara të zërit të tij; dhe një deepfake e liderit të Partisë Laburiste në Britani Keir Starmer.

Edhe pse këto klip dhe imazhe u demaskuan me shpejtësi, ato nuk do të jenë të fundit dhe çfarë po vjen në të ardhmen do të jetë më e vështirë të identifikohet. Ndërsa mjetet AI përmirësohen, e vërteta bëhet e padallueshme nga gënjeshtra, duke ushqyer kështu dezinformim politik dhe minuar përpjekjet për të vërtetuar gjithçka, nga një gafë fushata në një krim lufte.

Shprehja “provë fotografike” rrezikon të bëhet një relikë antike.

Fotoja Origjinale

Foto e Gjeneruar nga AI

Përmbytja që po afrohet

Deri në një farë pike, rreziqet nga AI nuk janë diçka e re. Imazhet e manipuluara janë po aq të vjetra sa vetë fotografike. Imazhet e para të rreme datojnë që prej 1840: Hippolyte Bayard ishte një fotografik Francez që pretendonte se ka shpikur fotografinë. Në protestë ndaj njohjes zyrtare të arritjes së tij, ai krijoi një imazh që tregon kufomën e tij duke e titulluar “Autoportret si një njeri i mbytur.”

LEXO EDHE:  Hakerët thyen sigurinë e Galaxy S22 dy herë brenda një dite

Mashtrime të tjera para epokës dixhitale janë fotografitë e vitit 1917 të zanave të vogla që mashtruan krijuesin e Sherlock Holmes, Arthur Conan Doyle, si dhe pëlqimin e ish diktatorit Sovjet Jozef Stalin për heqjen e zyrtarëve të lartë nga fotografitë bardh e zi.

Së fundi mjete si Adobe Photoshop – një softuer aq i përdorur saqë është shndërruar në folje tashmë – dhe filtrat në median sociale kanë demokratizuar manipulimin vizual. Ajo çfarë AI bën është ti dërgojë gjërat në një nivel tjetër.

Gjeneruesit e imazheve si Midjourney, DALL-E 3 dhe Stable Diffusion sjellin tre gjëra të reja për masat. Aksesibilitetin: Nuk ka nevojë të lodheni për të mësuar Photoshop, mjafton të shkruani disa rreshta përshkrim dhe të prisni 10 sekonda. Cilësinë: AI mund të prodhojë imazhe bindëse dhe vetëm sa përmirësohet dita ditës. Shtrirjen: Përgatituni për përmbytjen e madhe të imazheve të rreme prodhuar në shkallë industriale.

Por ekspertët e dezinformimit duken të qetë për rrezikun që imazhet AI kanë tek masat. Sigurisht shumë u mashtruan nga një imazh i papës me një xhaketë të bardhë ose një imazh i Julian Assange pas hekurave, por ato ishin imazhe me efekt të vogël. Një postim në Twitter në Maj me një tym të zi që dilte nga Pentagoni u bë viral për një kohë të shkurtër, por u hoq zbulua shpejt.

“AI eliminon pengesat në mënyrë dramatike duke krijuar mundësi për përdorime kreative të mashtrimit. Po rezultati është thjeshtë spam,” shprehej Carl Miller, një hulumtues i Qendrës së Analizës së Medias Sociale. “Ekziston një nivel i lartë skepticizmi tek publiku në lidhje me imazhe që vinë nga burime të pabesueshme apo drejtime të panjohura.”

Fotoja Origjinale

Foto e Gjeneruar nga AI

Dividenti i Gënjeshtarit

Rreziku i madh me shumë gjasa është ana tjetër e problemit: një publik i cili po edukohet që të mos u besojë syve të tij. Fotot e muajit Mars të arrestimit të ish presidentit Amerikan Donald Trump ishin qartësisht të pavërteta. Por ato foto të lordit të mercenarëve Rusë Yevgeny Prigozhin i cili shfaqej me paruke dhe mjekër? Siç duket ato ishin autentike.

Po raportohet kaq shumë rreth këtyre lajmeve të rreme dhe AI, saqë krijon një atmosferë ku ligjshmëria e shumë gjërave vihet në pikëpyetje. “Veçanërisht në vende diktatoriale, janë të prirë për të thënë se çdo fakt që bie ndesh me ta është ose gënjeshtër ose propagandë Perëndimore,” shprehej Benjamin Strick, drejtor i hetimeve pranë organizatës jo-fitimprurëse Qendra për Rezistencën e Informacionit.

LEXO EDHE:  TikTok gjobitet me 345 milionë euro në Europë për shkelje të privatësisë së fëmijëve

Ky fenomen u manifestua në Qershor kur llogaritë në median sociale pro-Kremlinit nxitën një narrativë të rremë se shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës Kyrylo Budanov kishte vdekur dhe një video e tij duke folur u tha se ishte deepfake. Budanov ishte gjallë e madje po jepte intervista televizive. Me një luftë të vërtetë që ka nisur mes Izraelit dhe Hamasit, përgatituni për shtimin e formave të dezinformimit duke e bërë çdo ditë e më të vështirë kujt ti besoni.

Skenari më i frikshëm sipas Strick është një botë ku tiranët dhe të pushtetshmit e shndërrojnë këtë teknologji në një armë, diçka që ai e quan si dividenti i gënjeshtarit. Ky term, i cili u popullarizua nga akademikët Amerikanë Robert Chesney dhe Danielle Citron, përcakton një strategji për të hedhur poshtë si të rreme çdo dëshmi me imazh të abuzimit të të drejtave të njeriut apo krimeve të luftës. “Diktatorët thjeshtë mund të ndërhyjnë dhe të thonë se çdo gjë është gënjeshtër e krijuar nga AI,” tha Strick.

Technofix

Për të adresuar disa nga problemet e shkaktuara nga imazhet e gjeneruara përmes AI, kompanitë, përfshirë Intel dhe ChatGPT, krijuesin e DALL-E 3 dhe ChatGPT, kanë ndërtuar mjete AI për të identifikuar përmbajtjet e gjeneruara nga teknologjia në fjalë.

Disa zhvillues kanë filluar të etiketojnë imazhet AI me tekste. Por këto mjete identifikimi nuk janë perfektë dhe nisur nga fakti se modelet AI po përmirësohen çdo ditë, e gjitha mund të shndërrohet në lojën e maces dhe miut.

Korporatat e teknologjisë dhe organizatat mediatike kanë bashkuar forcat përmes iniciativave si Koalicioni për origjinën dhe autenticitetin e përmbajtjes (C2PA) ku organizata si Microsoft, Adobe, BBC dhe New York Times po përpiqen të gjejnë një mënyrë për etiketimin e imazheve autentike me informacione të enkriptuara si historiku, autori apo çdo modifikim që mund të jetë aplikuar mbi to.

“Kemi bërë pyetjen: ‘A mund të kemi teknologjitë të cilat do të marrin çdo foton të kapur nga një kamera dhe të sigurohen se janë ato që po u tregohen konsumatorëve – dhe të kapin çdo ndryshim që është bërë gjatë rrugë?” tha Eric Horvitz, zyrtari kryesor shkencor i Microsoft, i cili mbikëqyr Projektin Origin, një nga partnerët në koalicion.

LEXO EDHE:  Meta po eksploron idenë e një Facebook dhe Instagram me pagesë

Rreziku sipas një raporti të fundi nga Royal Society, akademia e shkencave Britanike, është se adoptimi i këtyre sistemeve nga mediat me reputacion do të interpretohej si krijimi i karteleve të njohurive duke shpallur pretendimet mbi të vërtetën – një zhvillim i cili do të dështonte në mjedisin e sotëm politik të polarizuar.

“Nuk e imagjinoj një botë kur të gjithë do ti besojmë BBC-së,” tha Carl Miller. “Me shumë gjasa do të merrnin një seri të vërtetash të Ballkanizuara.”

Fotoja Origjinale

Foto e Gjeneruar nga AI

E vërteta bazë

Horvitz shpreson se mjetet e verifikimit do të bëhen të disponueshme gjerësisht edhe tek grupet e vogla apo podcaster-at, ndërsa kompanitë e teknologjisë dhe fotografisë i integrojnë në softuerët dhe pajisjet e tyre. Por do të duhet kohë që të ndodhe, e edhe atëherë mund të mos jetë e disponueshme për të gjithë.

Në 2018-ën, BBC përdori video që qarkullonin në Twitter për të identifikuar ushtarët të cilët orkestruan vrasjen e katër personave në Kamerun. Së fundi nga një raportim i luftës në Ukrainë, u mbështet në një gamë fotosh dhe videosh postuar në ueb nga kushdo, nga adoleshentë Ukrainas tek mercenarë Rusë. Edhe nëse autorët e tyre kishin qasje në softuer të teknologjisë së fundit për verifikimin e imazheve, a do të rrezikonin ti bashkëngjisnin identitetet e tyre provave të abuzimit me të drejtat e njeriut apo krimet e luftës?

Duke marrë në konsideratë sasinë e lartë të imazheve AI, e ardhmja e provave, tha Stick me shumë gjasa do të jetë më pak dixhitale ndërsa informacioni në ueb do të ketë më shumë nevojë për konfirmim nga terreni.

Fotoja Origjinale

Foto e Gjeneruar nga AI

“Ka të bëjë me rikthimin në rrënjët e gazetarisë,” tha ai. “OSINT duhet të përdoret së bashku me gazetarinë investigative dhe raportimin e mirë lokal.”

Në të njëjtën kohë, ka shenja e se erozioni i besueshmërisë ka filluar tashmë. Greg Foster-Rice, një profesor i asociuar i fotografitë në Kolegjin e Kolumbias në Çikago, dhe anëtar i task-forcës AI të universitetit të tij, ka vënë re diçka të pazakontë që po ndodh me studentët e gjeneratës Z në muajt e fundit.

“Studentët tanë po rikthehen në praktikat analoge,” tha Foster-Rice. “Është një rikthim në stilin retro. Mbase sepse janë më të prirë për të qenë autentik në aspektin e marrëdhënies me të vërtetën.”

/PCWorld Albanian

Të ngjashme