Sport
Intelektualët nesër mund ta marrin në dorë “mindilin” e udhëheqjes së Superligës
Demokracia
16:31 | 19 Prill 2024

Share:

Deri në këtë fazë të kampionatit, për Dritën si pretendente e titullit kampion, flitej pak, pasi gara ishte fokusuar te Ballkani dhe Llapi.

Por pikërisht me fitoren ndaj këtyre të fundit, “Intelektualët” tashmë i kanë dhënë tjetër kahje kampionatit, duke u shndërruar përsëri protagonistë. 3 herë kampionët e Kosovës, ndonëse me një mision të vështirë, nesër mund ta marrin në dorë “mindilin” e udhëheqjes së valles kampionale.

Fitorja eventuale e tyre në Suharekë ndaj Ballkanit, që udhëheq me 2 pikë më shumë tabelën, do ta bënte Dritën lidere të Superligës dhe do t’ia hapte më shumë se asnjëherë këtë edicion, rrugën për titullin kampion.

Që kjo të ndodh, gjilanasit duhet ta thyejnë një “mallkim” që ka shfaqur për ta stadiumi i qytetit në Suharekë, pasi aty nuk kanë fituar që nga 5 marsi i vitit 2019.

Në këto pesë vjet, këto skuadra kanë zhvilluar nëntë ndeshje, prej të cilave shtatë i kanë fituar “Xhebrailat”, kurse dy duele kanë përfunduar me barazim.

Ndërkohë nëse edhe përballja e nesërme nuk nxjerrë fitues, atëherë me 3 pikë ndaj Fushë Kosovës, Llapi sërish do kthehej në garë për titull.

Kurse nëse pikët mbesin në Suharekë, Ballkani do të shkëputej 5 pikë ndaj Dritës e do ta mbante së paku në 4 pikë diferencën me Llapin.

Ballkani – Drita zhvillohet nesër më 20 Prill, me fillim në orën 15:00.

Të ngjashme