Sport
Incidentet në finalen Prishtina – Trepça, FBK dënon dhunën dhe paralajmëron masa tjera kundër huliganizmit
Demokracia
20:38 | 11 Dhjetor 2022

Share:

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht rreth incidentit në ndeshjen finale të Superkupës ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës.

Tifozeritë e dy klubeve janë larguar nga palestra pas përfundimit të pjesës së parë, për shkak të hedhjes së gjësendeve të forta në drejtim të njëra-tjetrës, shkruan Demokracia.com.

REAGIMI I PLOTË:

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dënon ashpër dhunën dhe huliganizmin në basketboll.

FBK ka bërë të gjitha përgatitjet në lidhje me Superkupën e Kosovës dhe sidomos ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

Para kësaj përballje është mbajtur edhe një takim me Policinë e Republikës së Kosovës, ku është marrë vendim që të largohen të gjitha ulëset VIP, kemi krijuar tampon zone mes tifozerive, e kemi përgatitur planin operativ për ardhjen dhe largimin e tifozerive, si dhe janë angazhuar forca te mjaftueshme të Policisë dhe sigurimit privat.

Dënojmë fuqishëm dhunën e shfaqur në takimin e finales Sigal Prishtina-Trepça dhe do të bëjmë të gjithë përpjekjet që këto skena të mos përsëriten asnjëherë në basketbollin e Kosovës.

Ne kemi ndaluar udhëtimet e tifozëve mysafirë në Superligë dhe do të vazhdojmë me masa tjera, deri në zhdukjen e huliganizmit, që nuk ka vend në sportin tonë të dashur dhe që kemi derdhur dhe po derdhim shumë ndjersë.

FBK do të analizojë ndeshjen e sotme dhe do të marrë masat e nevojshme.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit të fundit./Demokracia.com/

Të ngjashme