Lajme
“Ikja nën shënjestrën e snajperit” | Askush nuk flet si u lejuan të arratisen terroristët serbë në krye me Radojiçiqin
Demokracia
13:37 | 26 Shtator 2023

Share:

Dy ditë pas sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ende mbetet e paqartë si arritën të ikin nga vendi i ngjarjes mbi 20 terroristë serbë, nën vëzhgim të dronëve dhe shënjestër të snajperistëve.

Ndonëse ishin nën objektivin e snajperëve të Policisë së Kosovës, nga pamjet e publikuara tashmë shihet qartë sesi grupi terrorist arriti të largohej.

Askush nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe as nga Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë sqarim pse u lejuan të ikin anëtarët e grupit terrorist, disa prej të cilëve mbetën të vrarë gjatë përballjes më pjesëtarët e Policisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Institucionet e sigurisë nuk i kanë mohuar as zërat se me terroristët serbë u negociua dhe u lanë të ikin të lirë.

Dalin pamjet nga ajri, sulmuesit serbë ikin maleve nga Banjska

Analisti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, pretendon se KFOR-i ka e mundësuar krijimin e një korridori për ikjen e tyre.

Shala, po ashtu, ka vlerësuar se KFOR ka dështuar të përmbushë mandatin e vet që ka në mbrojtje të kufijve të Kosovës, sipas Rezolutës 1244.

“Kishim një agresion të hapur dhe të drejtpërdrejtë në drejtim të Kosovës përmes formacioneve ushtarake. Në anën tjetër, duhet vlerësuar puna e njësive policore të angazhuara në këtë operacion, duke vepruar me nivelin me të lartë të standardeve profesionale dhe atij human të treguar atje”, tha Shala.

Dyshime sesi u krijua korridori për ikjen e terroristëve serbë, mes tyre edhe të kryekriminelit të veriut, Milan Radojiçiq, ka ngritur edhe gazetari Lirim Mehmetaj.

Ai ka pyetur se kush e ka mundësuar ikjen e kriminelëve.

“Tashmë edhe me video, shihet se krye-krimineli i Veriut, Milan Radojiçiç ishte koka e sulmit terrorist në Veri. Si ndodhi që iki ai dhe terroristët e tjerë? Kush ua mundësoi largimin? Ministri Xhelal Sveçla ta jap shpjegimin.”, ka shkruar ai.

Edhe publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, ka folur në lidhje me përplasjen e armatosur që ndodhi dy ditë më parë mes terroristëve serbë dhe Policisë së Kosovës në veri.

Maliqi tha se kjo ngjarja ka patur mundësi të ishte edhe me tragjike, por duke qenë nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe negociatave që janë zhvilluar, ka sjellë tërheqjen dhe ndërprerjen e konfliktit të armatosur.

“Diçka është prit që do të ndodhte në veri. Ka patur edhe paralajmërime prej organizatave të sigurisë më herët, është thënë që po ushtrohen diversantët edhe ndodhi kjo. Ka qenë rast tragjik se ka të vrarë dhe të plagosur dhe ka patur mundësi të ishte një përleshje pak më e madhe, por si duket meqë ka qenë nën survejimin e forcave të KFOR dhe ka patur si duket edhe negociata, ata janë tërhequr me kohë mos me pas ma shumë viktima dhe kanë shpëtu pelegrinët. Nuk e di a është luajtur për fatin e tyre apo ka patur ndonjë plan tjetër me i masakru dhe me ia ‘ngjit’ fajin Policisë së Kosovës. Është shumë e paqartë, tani shkojnë hetimet, por vetë akti terrorist e ka mobilizu edhe bashkësinë ndërkombëtare që tani me qenë më intensive më e ‘prerë’ në iniciativa. Tani u informuam që janë mbledhë krejt emisarët e vendeve kyçe që janë të angazhaur në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe pritet që do të dalin me masa të reja, por cilat do të jenë këto masa ende nuk dihet. Më duket se do të bëhet presion edhe në Beograd, edhe në Serbi. Beogradi e ka humbur njëfarë përparësie që kishte gjatë kohës që mundohej të tregohej si palë që e do paqen a në të vërtetë tash po shihet hapur se ose i kanë dërgu ose e kanë ditë që po përgatitet një sulm i këtillë. Tek ne po shihet një triumfalizëm për Policinë e Kosovës në këtë aksion, policia ka bërë një punë të shkëlqyer, por duhet të jenë të vetdijshëm të gjithë se nuk ka punu vetë Policia, ai ka qenë vetëm operativa, kurse inteligjencat e huaja, KFOR apo NATO, e kanë përcjellë logjistikën dhe kanë qenë afër me intervenu nëse ishte bërë edhe diçka më e madhe, plus kanë negociuar me Beogradin me e lehtësu daljen ose ndërprerjen e këtij konflikti”, deklaroi Maliqi për Blic.

Ai tha se plani i tyre ka qenë me nxit një konflikt të ashpër ndaj manastirit dhe pelegrinëve, çka do të sillte edhe kryengritjen e serbëve të veriut.

“Gati është e sigurt se është negociu, prej burimeve. Ata i kanë gjithmonë kanalet e komunikimit, drejtpërdrejtë kanë ba presion tek Vuçiqi dhe shihet edhe prej xhirimeve se ia kanë lënë një ‘shteg’ me dalë. Edhe dy të plagosur i kanë dërgu në Novi-Pazar, janë shumë gjera që duhet të sqarohen, por kryesorja është që një inicidet i tillë ka qenë gati si provokim ose nxitje e luftës. Plani i tyre mendoj ka qenë me nxit një konflikt këtu, me pas ndonjë reagim të ashpër ndaj manastirit dhe ndaj pelegrinëve që mund të çoheshin në kryengritje serbët e veriut. Ata më duket që s’po ju besojnë me Radojiçiqave dhe Listës Serbe. Kjo ka qenë një përpjekje që me shku edhe më radikalisht, që KFOR-i me marrë atë zonë nën mbikqyrje. Aty me vlejt Rezoluta 1244 me perspektivë që një ditë ajo autonomia mundet me u pavarësu. Ato janë ëndrra se më duket se nuk do të ndodhin, por edhe pala jonë duhet të jetë më e kujdesshme dhe të bashkëpunojë me SHBA-në dhe perëndimin, sepse as kjo fitore e dy ditëve më parë nuk do të ishte bërë pa koordinimin e ngushtë. Besoj më në fund edhe kryeministri Kurti e ka kuptu se duhet të jetë vazhdimisht në koordinim me to, pra mos të merr masa në krye në vete”, deklaroi Maliqi. /Demokracia.com/

Të ngjashme