Lajme
Ikja e Kurtit nga pyetjet për ekstazinë që trafikonte asamblisti i tij, Ridin, rezervat shtetërore dhe ushtarët e Serbisë që i shpërbleu me poste
Demokracia
11:33 | 01 Shtator 2023

Share:

Është e largët koha kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar në zyrën e ndonjë mediumi kosovar për të debatuar ose për t’u intervistuar lidhur me aktualitetin politik dhe zhvillimet tjera në Kosovë.

Kurti ka zgjedhur të komunikojë vetëm me mediat e huaja përmes instervistave të ndryshme, të cilat nuk janë të interesuara të diskutojnë për shqetësimet e përditshme, por që kryesisht janë përqendruar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë mënyrë, kryeministri Albin Kurti i është shmangur ballafaqimit direkt me pyetje dhe tema aspak të këndshme për të dhe Qeverinë e tij, shkruan Demokracia.com.

Skandalet që kanë përfshirë Qeverinë e tij dhe njerëzit e Vetëvendosjes janë të shpeshta dhe nuk i ngjajnë atyre të kaluarave.

Pjesëtari i ushtrisë kriminale të Serbisë në Qeverinë e Kurtit me firmën e tij

Më 25 maj të këtij viti, kryeministri Kurti e kishte pritur në takim, në zyrën e tij në Qeveri, Radoica Radomiroviç, për t’ia nënshkruar në prezencë të tij emërimin si Zëvendësministër për Komunitete dhe Kthim, ministri që drejtohet nga Nenad Rashiq.

Dy muaj më vonë, mediat e kuptuan për këtë emërim dhe publikuan fakte të tmerrshme për zëvendësministrin Radomiroviç, sipas të cilave, ai kishte qenë pjesë përbërëse e Ushtrisë së Serbisë gjatë viteve të luftës së tmerrshme në Kosovë (1998 – 1999), e cila kishte shkaktuar krime të llahtarshme mbi popullsinë civile shqiptare.

Kurti e emëroi zv. ministër serbin që kishte marrë pjesë në luftë më 1999 në Kosovë

 

Qeveria Kurti, përmes zëdhënësit është arsyetuar se Radomiroviç kinse nuk ka qenë i përfshirë në operacione ushtarake dhe ka bartur pozitën e kontabilistit në administratë si staf civil. Përgjigje të njëjtë ka dhënë edhe vetë Radomiroviç, duke theksuar se është krenar me të kaluarën e tij dhe që ka punuar në Mitrovicë, në kazermë në detyrë administrative, duke paguar shujtat dhe rrogat e pjestarëve të ushtrisë.

Fakti se Radomiroviç ka pasur rol në Ushtrinë e Serbisë nuk e kishte penguar kryeministrin Albin Kurti, që ta emëronte atë në një post të lartë qeveritar. Por, vetë Kurti ka refuzuar që të japë përgjigje kur është pyetur nga gazetarët.

“Ju lutem nuk mundemi kështu. Jemi para Institutit të Onkologjisë. Për çështje të tjera, për tema të ndryshme janë konferencat në Kryeministri…”, thoshte Kurti më 11 gusht 2023, duke gjetur kështu një shteg për t’i ikur përgjigjes në pyetjen se përse ai e bëri zëvendësministër një pjestar të Ushtrisë së Serbisë.

Momenti kur Kurti refuzon të flas për “politikë” me gazetarët

 

Sikur kjo të mos mjaftonte, Vetëvendosje i dha pushtet edhe djalit të Radoica Radomiroviçit, Nikola Radomiroviçit.

Lexo më gjerësisht:

Prej ushtar serb në Rashkë, Nikolla Radomiroviq emërohet drejtor në kabinetin e Lulzim Hetemit

Për më tepër, emri i Nikola Radomiroviçit u denoncua nga kryeministri Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës, si pjesë e strukturave kriminale të Serbisë që kishin sulmuar Policinë e Kosovës, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, gjatë protestave të serbëve para komunave në të cilat ishin vendosur kryetarët shqiptarë të zgjedhur pa pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023.

Lexo më shumë:

VIDEO | Kurti e punësoi kriminelin serb në kabinetin e Lulzim Hetemit, që në Kuvend e denoncoi për sulmet mbi KFOR-in, Policinë dhe gazetarët në veri

Avullimi i rezervave shtetërore, Kurti regjistron video për ta sulmuar Prokurorinë

Mëngjesin e 18 gushtit, Policia e Kosovës kishte zbarkuar në dyert e Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë (MINT) dhe në restaruantin “Bukë e Zemër”, pronë e mikut të tij, Ridvan Muharremit, aty ku Kurti drekon e darkon shpeshherë dhe jo vetëm privatisht, por edhe me delegacione zyrtare.

Kryeministri Kurti kishte refuzuar të përgjigjej për aksionin e Policisë së Kosovës në MINT dhe në lokalin e Ridit, njeriut që në disa përgjime të publikuara në medie përmendej në dështimin për të siguruar rezervat shtetërore. Qeveria kishte dhënë paratë, por malli nuk kishte arritur kurrë në Kosovë.

“Unë ju ftoj të gjithëve që nga sot të aplikoni për këtë masë të tretë të efiçiencës së energjisë. Tash e kemi një koktej modest. Për çështje të tjera jashtë efiçiencës që ju intereson deklarohemi më vonë gjatë ditës së sotme”, tha Kurti i nervozuar dhe mënjeherë u largua nga gazetarët që ia kishin zënë rrugën për ta pyetur.

Vetëm disa orë më vonë, Kurti kishte regjistruar një video, ku konstatonte se “Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, derisa sulmonte ashpër Prokurorinë, gjykatësit dhe mediat.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”.

Çuditërisht, Kurti e kishte pranuar në videon e tij  se mungonte një përqindje e rezervës shtetërore.

Ekstazia me logon LV dhe heshtja e Kurtit për arrestimin e asamblistit të tij

Paraditja e datës 15 gusht 2023, ka qenë e rëndë për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi Policia e Shqipërisë ka arrestuar asamblistin e saj të Prishtinë, Besnik Mujeci. Atij dhe grupit kriminal i ishin kapur mbi 10 mijë doza drogë ekstazi, e cila planifikohej të shpërndahej në zonat e bregdetit. Droga ishte mbështjellë me logon Louis Vuitton dhe kapte vlerën rreth 500 mijë euro.

Ashtu siç pritej, kryeministri Kurti dhe ministri i brendshëm, Sveçla, nuk e thanë asnjë fjalë për përfshirjen e asamblistit të tyre në trafik ndërkombëtar të substancave narkotike.

Kurti e Sveçla të “pafjalë” për arrestimin e narkodilerit të Vetëvendosjes

 

Pavarësisht heshtjes së Kurtit dhe Sveçlës, afërsia e Mujecit me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje ishte mjaft e argumentuar, përmes fotografive të shumta të publikuara në rrjetet sociale. /Demokracia.com/

Të ngjashme